Lidhje

Sarah Palin dhe e ardhmja e saj politike


Vendimi i Guvernatores së Alaskës, Sarah Palin për t’u larguar nga posti para përfundimit të mandatit të saj e çuditi botën politike dhe ka ngjallur pyetje dhe hamendje lidhur me të ardhmen e saj politike. Zonja Palin ishte kandidatja për nënpresidente e republikanit Xhon Mekein dhe shihet nga shumë republikanë si kandidate e mundshme presidenciale për zgjedhjet e vitit 2012.

Guvernatorja Palin nuk pritej të kërkonte një tjetër mandat në Alaska në vitin 2010. Por ajo që çuditi më tepër njerëzit, ishte vendimi i saj për t’u larguar nga posti në fund të korrikut, pa e përfunduar ende mandatin 4-vjeçar të guvernatores.

"Njerëzit produktivë, dhe me aftësi vendosin se çfarë drejtimi duhte t’u japin përpjekjeve të tyre, duke zgjedhur se si duan ta shfrytëzojnë me mençuri kohën për t’u fuqizuar më tej. Dhe aktualisht ka një nevojë të madhe për t’u përpjekur për të mirën e shtetit dhe mbarë vendit dhe unë zgjodha pikërisht këtë."


Në njoftimin e saj për dorëheqjen, Palin citoi disa arsye, mes tyre sulmet politike të kohëve të fundit ndaj familjes së saj dhe kostos së lartë financiare të hetimeve për mundësinë e shkeljes së etikës.

Zonja Palin po ashtu përmendi dëshirën për të mos e përfunduar mandatin e saj si një kandidate e gjymtuar, një politikane që cilës i ka rënë ndikimi, ngaqë ose nuk do, ose nuk mundet të kërkojë një tjetër mandat.

Republikanët u çuditën nga vendimi i zonjës Palin, mes tyre edhe guvernatori i shtetit Arkansa, Mike Huckabee, i cili tha në një intervistë për televizionin FOX, se shqetësohet se një pjesë e votuesve mund të mendojnë për Palin si një dezertore.

"Unë jam tifoz i Sarah Palinit, mua personalisht më pëlqen ajo, më pëlqejnë pikëpamjet e saj dhe mendoj se ajo ka të drejtë për disa çështje. Sfida që ajo do të ketë tani e tutje, është se do të ketë njerëz, që do të thonë, se në se detyrohesh të largohesh nga detyra, nuk është e lehtë të marrësh pjesë në nivele të tjera të politikës."


Analistët politikë thonë se vendimi i papritur i zonjës Palin ka ngritur pikëpyetje lidhur me të ardhmen e saj dhe ka rihapur debatin nga fushata presidenciale e vitit të kaluar, lidhur me çështjen në se ajo është, apo jo gati për t’u bërë zyrtare e lartë në nivel kombëtar.

John Frontier është ekspert për politikën në Institutin Amerikan Enterprise në Washington.

"Mendoj se ky vendim i saj vetëm se do të përforcojë disa probleme që i kishin parë kritikët e saj, se ajo nuk është gati për këtë punë, apo se ajo është impulsive dhe se nuk përfaqëson interesat e një baze të gjerë amerikanësh, që presin nga ajo të ndjekë rrugën tradicionale në politikë.
"

Zonja Palin ka angazhuar kritikët, por edhe komedianët muajt e fundit, sidomos ata, që sipas pikëpamjes së saj, kanë vënë në shënjestër familjen e saj. Shumë nga përkrahësit e zonjës Palin thonë se e kuptojnë dëshirën e saj për t’u larguar nga fokusi i politikës kombëtare për një farë kohe.

Analistë të tjerë thonë se vendimi i zonjës Palin për t’u larguar nga jeta politike mund t’i japë asaj kohë për ta fuqizuar imazhin e saj në sytë e publikut, që u bë objekt sulmesh gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

Gerson Moreno Raino është ekspert për politikat në Universitetin kristian Regent në Virginia Beach.

"Sara Palinin e kanë kritikuar shumë si nga e majta, edhe nga e djathta, republikanë dhe demokratë, dhe ky vendim i saj mund të jetë një mënyrë për ta marrë veten, për të rifituar imazhin e humbur dhe të marrë kontrollin e këtij imazhi dhe të mesazhit që ajo do të japë dhe kjo është shumë e rëndësishme."

Por profesor Moreno Raino thotë se zonja Palin mund të duhet të meremetojë marrëdhëniet edhe me disa prej përkrahësve të saj më besnikë, të cilët u zhgënjyen me vendimin e saj për t’u larguar nga posti i guvernatores, kur i kanë mbetur vetëm 18 muaj për ta përfunduar mandatin.

Por megjithëse Sara Palin mbetet një figurë polarizuese në anketimet kombëtare të publikut, ajo vazhdon të ketë mbështetje të madhe nga republikanët konservatorë, sidomos nga grupi i të krishterëve evangjelistë. //ii

XS
SM
MD
LG