Lidhje

ODIHR: Numërimi, keq ose shumë keq në një të tretën e qendrave


Në Shqipëri,vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë se procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 28 qershorit është kryer keq ose shumë keq në një të tretën e tij. Në një raport të ndërmjetëm postzgjedhor, misioni i vëzhguesve të ODIHR-it shprehet se numërimi i votave u zvarrit dhe se procesi u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive dhe përfaqësuesve të tyre. Faza e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit është vlerësuar si moment thelbësor në procesin zgjedhor, dhe nga ecuria e të cilit do të varej në një pjesë të madhe edhe raporti përfundimtar i ODIHR-it.

Raporti paraprak i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë i përbërë nga zyra e ODIHR-it, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Natos dhe Këshillit të Europës, i paraqitur vetëm 24 orë pas 28 qershorit, vlerësoi se zgjedhjet kishin shënuar “një përparim të dukshëm” në lidhje me proceset e regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, si dhe me kuadrin ligjor.

Por këto përmirësime - sipas raportit - u zbehën nga politizimi i anëve teknike të procesit nga partitë politike dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës zgjedhore.

Ky vlerësim u duk se zhgënjeu pritshmëritë e brendshme, duke qenë se dita e votimit kaloi përgjithësisht e qetë. Por raporti përfundimtar rrezikon të mos i zbusë tonet. Përkundrazi. Faza postzgjedhore mund t’i shtojë ngjyrat negative.

Të paktën një raport i ndërmjetëm i Misionit të Vëzhguesve të Odihr-it, që përfshin periudhën deri më 7 korrik dhe i bërë publik mbrëmë, nuk lë shumë vend për optimizëm.

Sipas raportit, “në 22 nga 66 vendet e numërimit të votave, (pra saktësisht në një të tretën), vlerësohet se numërimi u krye “keq ose shumë keq”. Sipas vëzhguesve, probleme janë vënë re në respektimin e procedurave: “Në të paktën 9 qendra numërimi, zbatimi i tyre ishte i dobët”.

Veprimtaria e Komisioneve zonale të Administrimit zgjedhor është konsideruar “e keqe ose shumë e keqe në 11 prej tyre, ose në një të pestën e tyre”. Ndërsa në shumicën dërmmuese të Qendrave të Numërimit, “një ose më shumë grupe numërimi patën vështirësi në plotësimin e tabelave të rezultateve”.

Njëri nga problemet kryesore të vërejtura nga vëzhguesit ishin mosmarrëveshjet nëse duhet të numëroheshin ose jo votat në disa qendra votimi.

“Numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjithë nivelet e administratës zgjedhore”, thuhet më tej në raport.

“Vonesat në numërim shkaktuan tension mes partive,veçanërisht aty ku rezultatet ishin ose dukej të ishin të afërta. Në disa raste votimi u bllokua përkohësisht. Ndërhyrjet e vëzhguesve apo kandidatëve të partive në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqëndrim”, thuhet më tej.

Sipas vëzhguesve edhe sistemi elektronik i monitorimit, përmes përdorimit të kamerave përpara së cilave vendosej cdo flete votimi, “nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit”. Ata kanë konstatuar se “nuk ishte e mundur gjithmonë të dallohej se për kë subjekt ishte votuar apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur “.

Një vend jo i vogël i është kushtuar veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në raport shkruhet se “fatkeqësisht, kur u vërejtën apo u raportuan probleme në Vendet e Numërimit të Votave, KQZ vendosi të mos ndërhynte pavarësisht faktit se ndodhej në pozitë të tillë ku mund të vëzhgonte atë që po ndodhte”.

Në raport përshkruhet edhe situata e tensionuar që ka karakterizuar mbledhjet e KQZ, akuzat e ndërsjella dhe gjuha shpesh e ashpër, si edhe fakti se vendimet janë marrë gjithnjë me 4 vota pro e 3 kundër, duke reflektuar ndarjen politike të anëtarëve të KQZ.

Të gjitha vërejtjet e ngritura nga vëzhguesit shoqërohen me shembuj konkretë. Një grup i vogël i misionit të ODIHR-it do të vazhdojë të qëndrojë për të ndjekur gjithë ecurinë e procesit deri në mbylljen e tij, gjë që mund të kërkojë edhe disa javë.

XS
SM
MD
LG