Lidhje

Teknologjia mediatike në presidencën e Obamës


Presidenti Obama arriti të premten në Ganë në vizitën e tij të parë në Afrikën nën-sahariane që kur u zgjodh president. Administrata e presidentit Obama e ka bërë përparësi përdorimin e teknologjive të ndryshme si mënyrë komunikimi me publikun, edhe gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Drejtori i presidentit për median tregon se si Shtëpia e Bardhë po tërheq audienca më të gjera jashtë Shteteve të Bashkuara.

Ganianët e entuziazmuar nga vizita e presidentit Obama, kanë shansin që më shumë se asnjë herë tjetër të shprehin mendimet e tyre mbi çështje si demokracia, zhvillimi dhe shëndetësia.

Zoti Obama foli për zhvillimin e Afrikës në Itali dje, ku u premtuan më shumë para për vendet në zhvillim. Zoti Obama foli për të afërmit e tij kenianë dhe nevojën e tyre për ndihma.

“Unë kam pjesëtarë të familjes që jetojnë në fshatra, dhe megjithëse ata nuk po vdesin për bukë, ata jetojnë në vende ku uria ekziston me të vërtetë.”

Në Uashington, ekipi i medias i zotit Obama po punon për ta përçuar mesazhin e presidentit tek sa më shumë afrikanë që të jetë e mundur dhe t’u mundësojë atyre t’i përgjigjen këtij mesazhi.

Mejkon Fillips është drejtori i presidentit për median. Ai thotë se edhe në Gana, njerëzit përdorin faqe shoqërore si Fejsbuk dhe Tuitër për t’i bërë presidentit pyetje.

Ai thotë se qëllimi i kësaj strategjie është që më shumë njerëzve jashtë vendit t’u krijohet mundësia të japin mendimin e tyre për Shtetet e Bashkuara.

“Kjo nuk është për t’i bërë reklamë presidentit, por për t’i angazhuar njerëzit në biseda me të, çka nuk ka ndodhur më parë.”

Presidenti Obama e ka përdorur popullaritetin e tij si dhe teknologjinë në avantazh të tij jashtë vendit.

Muajin e kaluar në Kairo, Shtëpia e Bardhë e përktheu fjalimin e presidentit në 13 gjuhë dhe e vuri atë në faqen e internetit të Shtëpisë së bardhë dhe në YouTube.

Zoti Filip thotë se i është dashur të mësojë se si kulturat e ndryshme marrin informacionin.

“Mënyra se si njerëzit e marrin informacionin në botë është e ndryshme. Diçka popullore në Azi është ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga Afrika apo Europa. Një nga gjërat më interesante për Afrikën është përdorimi shpeshtë i telefonit.”

Zoti Filips shpjegon se afrikanët mund të dërgojnë mesazhe në numra të caktuar në telefonin e tyre, i njohur si kod i shkurtër.

“Nëse ndodhesh në Afrikë dhe do t’i dërgosh presidentit një mesazh apo t’i bësh një pyetje, ose t’i urosh mirëseardhjen në Afrikë, apo thjesht të bësh një koment mund të përdorësh kode të shkurtëra. Për Ganën ky kod është 1731.”

Kjo vizitë e presidentit nuk synon të jetë pompoze apo ceremoniale. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky është shans për pjesëmarrje.

Qoftë kompliment apo kritikë, zoti Filips thotë se mesazhet e njerëzve nga vende të ndryshme mund ta ndihmojnë zotin Obama të hartojë politikën e tij të jashtme. //bsa//

XS
SM
MD
LG