Lidhje

Seri dokumentarësh rreth jetës së Kim Xhong Ilit


Koreja e Veriut njoftoi se ka filluar përgatitjen e një seri dokumentaresh rreth jetës së udhëheqësit Kim Xhong Il, duke nxitur spekullime të tjera rreth shëndetit të tij.

Agjencia qëndrore e lajmeve e Koresë së Veriut bëri të ditur se dokumentarët do të përqendrohen në rolin e zotit Kim në vendosjen e regjimit komunist.

Spekullimet rreth gjendjes shëndetsore të udhëheqësit 67 vjeçar janë shtuar që kur u njoftua se ai pësoi një goditje të rëndë në tru vitin e kaluar. Zoti Kim dukej i tretur dhe mezi ecte kur mori pjesë javën e kaluar në një ceremoni përkujtimore me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së babait të tij, themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung.

Rrjeti televiziv Jonhap i Koresë së Jugut njoftoi në fillim të kësaj jave se zoti Kim vuan nga kanceri në pankreas dhe se kjo sëmundje është me rrezik për jetën e tij.

Media e Koresë së Veriut ka mohuar kategorikisht njoftimet rreth shëndetit të dobët të udhëheqësit korean, madje publikoi fotografitë më të fundit dhe pamje televizive.

Zoti Kim ka sunduar Korenë e Veriut me kultin e individit.

Kohët e fundit, media njoftoi se zoti Kim kishte caktuar djalin e vogël, 26 vjeçarin Kim Xhong Un, si pasardhës të tij. (ze)

XS
SM
MD
LG