Lidhje

Klinton: Synimi për dialog me Iranin nuk ka ndryshuar


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha dje se administrata Obama vazhdon t’i përmbahet synimit për dialog me Iranin, pavarësisht nga ato që ajo i cilësoi si përdorim i dënueshëm dhe i papranueshëm i dhunës për të shtypur protestat pas-zgjedhore.

Në një fjalim mbi politikën e jashtme, zonja Klinton la gjithashtu të hapura mundësitë për bisedime me elementë të moderuar të lëvizjes talebane në Afganistan.

Shtypja nga Irani e protestave që kundërshtonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale ka ndryshuar mënyrën se si shikohet qeveria e Teheranit në arenën ndërkombëtare, tha zonja Klinton.

Por ajo shtoi se, megjithë këto veprime, Uashingtoni duhet të angazhohet në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin për çështje si programi bërthamor dhe mbështetja për terrorizmin, për të parë nëse ky vend dëshiron të jetë një pjestar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar apo do të vazhdojë rrugën e izolimit.

“Bisedimet e drejtpërdrejta ofrojnë mënyrën më të mirë për ta paraqitur dhe shpjeguar këtë zgjedhje. Për këtë arsye u kemi ofruar udhëheqësve iranianë një mundësi të qartë.”

Sekretarja e Shtetit e mbajti këtë fjalim në prag të 6-mujorit të parë të administratës së re dhe në përgatitje për vizitën në Indi dhe Tajlandë.

Ajo theksoi se administrata beson në rëndësinë e “fuqisë inteligjente”, që diplomacinë dhe ndihmat për zhvillim i konsideron të së njëjtës rëndësi si fuqia ushtarake.

Lidhur me Iranin, ajo tha se administrata Bush bëri gabim kur refuzoi bisedimet me Teheranin për programin bërthamor, duke ia kaluar stafetën të tjerëve.

“Irani mund të bëhet një faktor konstruktiv në rajon, nëse heq dorë nga kërcënimet ndaj fqinjëve dhe mbështetja për terrorizmin.”

Sekretarja Klinton niset për një vizitë në Indi, e para që kur erdhi në krye të diplomacisë amerikane. Ajo tha se do të vizitojë edhe Pakistanin në vjeshtë. Në të dyja vendet, lufta kundër ekstremizmit islamik do të jetë ndër temat qendrore.

Ajo tha se e ardhmja e Afganistanit varet nga një Pakistan demokratik dhe i qëndrueshëm politikisht e ekonomikisht.

Sekretarja e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po e luftojnë Talebanin në Afganistan, pasi mbështet al-Kaidën.

Por zonja Klinton shtoi se Uashingtoni është i hapur për kontakte me përkrahës të Talebanit që duan të shkëputen nga terroristët.

“... Sot, ne dhe aleatët tanë afganë shprehim gatishmërinë për të mirëpritur këdo që mbështet talebanët, por që është kundër al-Kaidës dhe është i gatshëm të ulë armët e të angazhohet në një shoqëri të lirë dhe të hapur, siç e parashikon kushtetuta e Afganistanit.”

Sekretarja e Shtetit nënvizoi përpjekjet e reja të administratës Obama, nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm Xhorxh Miçell për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez.

Ai ritheksoi thirrjen e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ndalë ngritjen e vendbanimeve të reja dhe për forcimin e sigurisë nga palestinezët. Por, shtoi ajo, bota arabe duhet të ndjekë shembullin e dy ish-udhëheqësve – Presidentit Sadat të Egjiptit dhe Mbretit Husein të Jordanisë, të cilët u angazhuan për kontakte me Izraelin.

“Anwar Sadat dhe Mbreti Husein shënuan risi të rëndësishme. Guximi dhe vizioni i tyre mobilizuan grupe të angazhuara për paqe në Izrael dhe u hapën rrugën marrëveshjeve afatgjata.”

Sekretarja Klinton do të shkojë më pas në takimin e ministrave të jashtëm të ASEAN-it dhe vendeve të tjera rajonale në Tailandë.

Zonja Klinton tha se administrata Obama po ndihmon për të organizuar një përgjigje të përbashkët, më të prerë, për ta bindur Korenë e Veriut të kthehet në negociatat për programin e saj bërthamor. (ze)

XS
SM
MD
LG