Lidhje

Presidenti Obama para organizatës më të madhe për të drejtat civile


Presidenti Obama tha dje në Nju Jork para shoqatës se asnjëherë në Amerikë nuk ka pasur më pak diskriminim se sa sot, por shtoi se dhimbja e kësaj padrejtësie ndihet ende.

“Ndihet nga gratë afrikano-amerikane që paguhen më pak se koleget e tyre të një ngjyre tjetër, apo burrat. Ndjehet nga latinot që ndjehen të padëshiruar në këtë vend. Nga amerikanët myslimanë që shihen me dyshim thjesht pasi ulen në gjunjë para Zotit. Nga motrat e vëllezërit tanë homoseksualë, që ende kërcënohen, sulmohen dhe u mohohen të drejtat.”

Presidenti tha se nevojitet më shumë përparim për reformimin e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe barazisë në punësim, të gjitha pjesë të programit të tij. Zoti Obama nderoi gjithashtu udhëheqësit e të drejtave civile në Amerikë, të cilët krijuan kushtet që ai të zgjidhej president. i u bëri thirrje amerikanëve të nderojnë këta njerëz dhe të rrëzojnë pengesat e fundit racore:

“Nëse 3 aktivistë për të drejtat civile në Misisipi, një i zi, një i bardhë dhe një hebre japin jetën për kauzën e lirisë, edhe ne mund të arrijmë të bashkohemi për të përballuar sfidat e kohës sonë. Ne mund të përmirësojmë shkollat, të shërojmë të sëmurët dhe të shpëtojmë rininë tonë nga dhuna dhe dëshpërimi.”

Për shumë të pranishëm si Walter Bailey III, ky ishte një moment frymëzimi.

“Të shohësh Presidentin e Shteteve të Bashkuara, në 100-vjetorin e organizatës, ndërkohë që është amerikan me ngjyrë, është diçka që nuk e kisha menduar se do të ndodhte në jetën time.”

Ja si u shpreh Emma Barnes me Shoqatën për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë

“Nuk e shpjegoj dot me fjalë se si ndjehem. Jam e mbushur me gëzim që kemi një udhëheqës që mbron interesat tona.”

Zoti Obama u bëri thirrje prindërve të marrin më shumë përgjegjësi për arsimimin e fëmijëve dhe t’i nxisin ata të kenë më shumë ambicje se thjesht sporti dhe muzika.

“Fëmijët tanë nuk mund të aspirojnë që të gjithë të bëhen basketbollistë si LeBron James apo të bëhen si repisti Li’l Wayne. Do të doja të aspirojnë të bëhen shkencëtarë, inxhinierë, mjekë e mësues, jo vetëm sportistë e artistë. Dua të aspirojnë të bëhen anëtarë të Gjykatës së Lartë, të bëhen president të Shteteve të Bashkuara.”

Ky fjalim i Presidentit shënon të parën herë që zoti Obama flet hapur për çështjen e racës që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë në janar.

XS
SM
MD
LG