Lidhje

Një park i ri shplodhës për Nju Jorkun


Linja e sapo rihapur është kthyer në një shëtitore. Ajo dikur sillte në qytet vagona me bagëti si dhe artikuj ushqimorë. Në vitin 1980, treni i fundit i kësaj linje bëri transportin e fundit me gjela deti të ngrirë për pjesën e poshtme të Manhatanit. Në një qytet të mbipopulluar si Nju Jorku, kjo linjë tani ofron një hapësirë për qetësi që përshkon lagje të tëra që dikur njiheshin si zona e thertoreve. Shëtitorja e re po gjen frekuentim si nga banorët edhe nga turistët.

"Nuk ka shumë mundësi të tjera për të parë një objekt të vjetër, si kjo hekurudhë. Mund të shohësh një pjesë të shinave. Është shumë interesante.”

Kjo lagje dikur e rrënuar, ka ndryshuar thuajse brenda ditës, falë shëtitores së re. Linja e rihapur është si një oaz në një xhungël prej betoni. Përgjatë shëtitores janë mbjellë rreth 100 specie bimësh, të mbjella për t’i përngjarë peisazhit të braktisur që u krijuar pas mbylljes së linjës hekurudhore. Kudo rrotull shihen ndërtesa të reja. Apartamente, zyra, restorante, biles edhe një muzeum kanë ngritur krye përgjatë shëtitores. Ata që jetojnë pranë zonës shprehin kënaqësi të përzier me rezerva:

“... Banorët e shtresës më modeste janë përballë një presioni të madh për të gjetur vendbanim tjetër. Kjo linjë hekurudhore që nderon të kaluarën, është shndërruar në katalizator të seleksionimit të popullatës së zonës. Megjithatë, jemi të gëzuar që e rihapën.”

Segmenti i parë i linjës u inaugurua në maj, pas 15 vjet planifikimi dhe përplasjesh politike. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, si dhe një numër donatorësh , ndër to edhe stilistja Diane von Furstenburg dhe i shoqi, prenë shiritin e inaugurimit.

“Jam shumë krenare që jam pjesë e kësaj zone, këtij qyteti dhe e këtij vendi. Ëndrrat mund të bëhen realitet dhe pikërisht këtë mesazh duhet të mbajmë nga kjo ditë.”

Dy segmentet e para të linjës kushtuan 152 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 44 milionë u grumbulluan nga donacione të publikut. Ata që e vizitojnë shëtitoren shprehen se ishte një shpenzim me vend. //kh//

XS
SM
MD
LG