Lidhje

Iran: Khamenei paralajmëron kundër destabilizimit


Udhëheqësi Suprem i Iranit paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për destabilizimin e vendit, pas thirrjeve të bëra nga reformistët për mbajtjen e një referendumi mbi legjitimitetin e qeverisë pas zgjedhjeve kontestuara presidenciale.

Në një fjalim drejtuar zyrtarëve, Ajatollah Ali Khamenei tha se elita e vendit duhet të shmangë komentet që, siç u shpreh ai, ndihmojnë armiqtë e Iranit.

Ai kritikoi gjithashtu Perëndimin për ndërhyrje në punët e brendëshme të Iranit.

Kandidati i opozitës që humbi zgjedhjet, Mir Hosein Musavi, publikoi një deklaratë në të cilën thotë se është fyese për votuesit iranianë që të aludohet se protestuesit e opozitës kanë lidhje me vendet e huaja.

Më parë, ish presidenti i Iranit, Mohamad Khatami, bëri thirrje për një referendum mbarëkombëtar për qeverinë me synimin për t’i dhënë fund krizës paszgjedhore në vend.

Pak ditë më parë, një tjetër ish president i Iranit, kleriku konservator, Hashemi Rafsanxhani tha se shumë iranianë kanë ende dyshime për rezultatin e votimeve të 12 qershorit.

Opozita thotë se Presidenti Mahmud Ahmadinexhad e fitoi mandatin e dytë nëpërmjet manipulimit të votave. Autoritetet e kanë hedhur poshtë këtë pretendim.

XS
SM
MD
LG