Lidhje

Bernanke: Ekonomia amerikane po përmirësohet


Kreu i Bankës Qëndrore amerikane thotë se ka shënja që tregojnë se ekonomia më e madhe e botës po fillon të stabilizohet. Ben Bernanke thotë se masat agresive të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë në botë duket se kanë shmangur kolapsin ekonomik. Por ai paralajmëroi se mëkëmbja ekonomike ka të ngjarë të jetë e ngadaltë.

Pas trysnisë në rritje nga investitorët dhe politikanët kreu i Rezervës Federale amerikane apo Bankës Qëndorore parashtroi strategjinë e daljes për politikat e saj, që kanë futur shuma të mëdha parash në ekonomi dhe në të njëjtën kohë edhe frikën e inflacionit.

Duke kërkuar të lehtësojë shqetësimet rreth krizës më të rëndë ekonomike në dekada, kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke u tha anëtarëve të Komisionit të Kongresit për Shërbimet Financiare se politikat monetare të Bankës Qendrore po funksionojnë.

"Kushtet e sotme financiare vazhdojnë të mbeten shqetësuese dhe shumë familje e biznese e kanë të vështirë të marrin kredi. Megjithatë në përgjithësi në muajt e fundit kemi parë një përmirësim të ndjeshëm".

Zoti Bernanke përmendi rritjen e besimit në tregjet financiare dhe një rritje të shpenzimeve të konsumatorëve. Por megjithë disa sinjale pozitive, ai tha se niveli i papunësisë ka të ngjarë të mbetet i lartë deri në vitin 2011, duke ngadalësuar mëkëmbjen.

"Pasiguria e vendit të punës, së bashku me rënien e vlerës së shtëpive dhe kredinë e shtrënguar, ka të ngjarë të kufizojë fitimet që vijnë nga shpenzimet e konsumatorëve".

Disa ligjvënës kanë shprehur shqetësim rreth rezultateve të deritanishme që kanë ardhur nga nga paketa stimuluese 800 miliardë dollarëshe e administratës Obama.

Kongresmeni republican Spencer Bacchus thotë se taksapaguesit meritojnë më shumë se kaq. "Deri tani, zoti kryetar, populli amerikan po merr shumë pak nga taksat që ka paguar".

Analistët janë të shqetësuar se miliarda dollarët e futur në ekonomi për të nxitur rritjen mund të shtojnë gjithashtu inflacionin.

Por zoti Bernanke tha se Rezerva Federale ka mjetet për të ndalur rritjen e shpejtë të çmimeve të konsumit.

Këtu përfshihet rritja e interesave që Rezerva Federale vendos për bankat që janë ulur gati në zero për të inkurajuar huadhënien.



XS
SM
MD
LG