Lidhje

Java Kombëtare e Vendeve të Robëruara


Që prej vitit 1959 çdo president amerikan ka shpallur javën e tretë të korrikut si javën kombëtare të vendeve të robëruara, duke u bërë thirrje amerikanëve që të mbështesin popujt e robëruar nën diktaturat komuniste, që aspirojnë për liri dhe pavarësi. Këtë vit është 50 vjetori i javën kombëtare të vendeve të robëruara.

Në proklamatën me këtë rast, Presidenti Barak Obama u bën thirrje amerikanëve që të angazhohen përsëri ndaj të gjithë atyre që kërkojnë dinjitet, liri dhe drejtësi.

Pjesëmarrësit në një ceremoni në Fondacionit Heritage në Uashington thanë se megjithë që muri i Berlinit u rrëzua para 20 vjetësh, shumë popuj të botës ende përballen me shtypjen.

Li Eduards, kryetar i Foundacionit të Memorialit për Viktimat e Komunizmit, tha se më 1959 shumica dërmuese e ligjvënësve amerikanë mbështetën Proklamatën e Vendeve të Robëruara.

“Ata pasqyronin faktin se rreth 30 milion amerikanë erdhën këtu nga ish vende komuniste dhe një qëndrim i tillë ishte veprimi i duhur politikisht si dhe nga aspekti i respektit për të drejtat e njeriut”.

Por më vonë, kritiku i politikës së jashtme amerikane, George Kennan, u përpoq, por pa sukses, ta bindte presidentin Xhon F. Kenedi, që të mos shpallte proklamatën për javën e vendeve të robëruara, e cila bënte thirrje për përmbysjen e rregjimeve komuniste në Evropën Lindore.

“Zoti Kennan, i cili në fakt ishte ambasador në Bashkimin Sovjetik, mendonte se shpallja e proklamatës ishte një akt anti-rus. Mendoj se ai nuk e kuptonte si duhet as popullin rus e as historinë e tij, sepse populli rus vujati më shumë nën komunizëm se çdo popull tjetër, me përjashtim të popullit kinez”, thotë zoti Eduads.

Li Eduards thotë se proklamata e vendeve të robëruara u jepte shpresë miliona njerzve, që jetonin në rregjime shtypëse komuniste.

“Ajo mbajti gjallë shpresën dhe optimizmin kundër tiranisë sovjetike. Në të njëjtën kohë, ne e dimë se proklamata u kritikua nga çdo kryeministër sovjetik, nga Krushovi deri tek Gorbaçovi. Që të gjithë ankoheshin se pse amerikanët miratonin këtë rezultë çdo vit. Për ta ajo ishte si një kockë në fyt”.

Marek Çodakieviç, Profesor i Historisë në Institutin e politikave botërore, thotë se tranzicioni nga komunizmi në demokraci në Evropën Lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik ka qënë i vështirë dhe i ndryshëm nga një vend në tjetrin.

“Aspekte të njëjta si komunizmi dhe pas komunizmi duken ndryshe në vende të ndryshme. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, vendet balltike ishin më të avancuarit kur bëhej fjalë për demokracinë dhe lirinë. Bjellorusët kishin mbetur mbrapa nën regjimin bolshevik, që shfrytëzon nacionalizmin për të ruajtur pushtetin. Ndërkohë, Ukraina përbën një pikpyetje të madhe sepse megjithë kërcënimet e jashtme nga lindja dhe kontradiktat e brëndshme, ky vend përpiqet shumë që të ruajë lirinë dhe demokracinë”.

Ndërsa numri i vendeve komuniste është reduktuar në pesë, Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Vietnami dhe Laosi, ato janë vendet më të popullura dhe më të izoluarit e të paparashikueshmit në gjithë botën. Sot regjimet totalitare vazhdojnë të skllavërojnë një të pestën e popullsisë së botës.

Në proklamatën e këtij viti, Presidenti Obama tha se lufta e ftohtë është tani pjesë e librave të historisë, por idealet e shpalluara nga Presidenti Eisenhower vazhdojnë të jenë të gjalla dhe frymëzuese. Presidenti Obama tha se qytetarët ende besojnë se qeveritë kanë detyrimin të jenë të ndershme dhe transparente si dhe të respektojnë shtetin juridik. (ze)

XS
SM
MD
LG