Lidhje

Dow Jones, 9 mijë pikë për herë të parë që nga janari


Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara po rriten. Indeksi Dow Jones shënoi dje 9 mijë pikë për herë të parë që nga janari, ndërsa investitorët reaguan pozitivisht ndaj fitimeve të korporatave dhe rritjes së shitjeve të shtëpive. Por a është kjo shenjë se ditët e errëta për ekonominë amerikane janë pas?

Rezultatet pozitive në tregjet e aksioneve padyshim janë reflektim i optimizmit të investitorëve ndaj njoftimeve pozitive të fitimeve të disa kompanive që i kaluan parashikimet e ekonomistëve. Megjithatë kjo rritje shihet si e tepruar dhe shumë shpejt nga disa analistë që thonë se rezultate pozitive të këtyre kompanive kanë ardhur për faktin se të trembur nga recesioni shumë kompani bënë shkurtime të mëdha të kostove. Disa të tjerë mendojnë se ekonomia tashmë ka arritur fundin dhe ndodhemi në një pikë kthese.

Investitorët reaguan pozitivisht nga lajmet se shitjet e shtëpive u rritën në qershor për të tretin muaj me radhë dhe më shumë sesa ç’prisnin ekonomistët. Fitimet më të larta nga parashikimet e njoftuara nga disa kompani përfshi Ford Motor e shtuan entuziazin e tregut.
Investitorët duket se i anashkaluan rezultatet zhgënjyese të njoftuara sot nga gjigandi Mikrosoft, për një rënie prej 17 përqindësh të të ardhurave.

Uall Striti shtoi fitimet dje pasi një raport i ri mbi tregun e shtëpive tregoi se shitjet e tyre u rritën 3 presje 6 përqind në qershor sipas ritmit vjetor. Ky është muaji i tretë radhazi i rritjes në shitjet e shtëpive. David Resler është ekonomist i lartë në firmën Nomura Securities.

"Tregjet po reagojnë ndaj lajmeve të sotme që u shtohet atyre që kemi parë dhe dëgjuar javët e fundit se ekonomia duket se ka arritur fundin".

Investitorët reaguan pozitivisht ndaj fitimeve të njoftuara nga kompanitë Ford, Ebay, AT&T dhe shitjet e larta të iPhonit të ri nga Apple. Zoti Resler thotë se fitimet pozitive japin besimin e nevojshëm për ekonominë amerikane në vështirësi.

"Mendoj se jemi pranë një kthese të rëndësishme në këtë cikël të ekonomisë dhe gjërat do të përmirësoheshin që këtej e tutje".

Kompania Ford Motor njoftoi 2 presje 3 miliardë dollarë fitime në tremujorin e dytë dhe thotë se pret të mbulojë shpenzimet deri në vitin 2011. Prodhuesi i makinave është më mirë sesa rivalët General Motors dhe Chrysler kryesisht për shkak të ristrukturimit të borxhit.

Fitimet e njoftuara nga Ebay tregojnë gjithashtu se konsumatorët janë gati të blejnë përsëri në internet.

Raportet për të ardhura më të mira nga parashikimet për disa kompani i kanë dhënë besimin investitorëve se ekonomia po përmirësohet dhe se pritet një kthesë nga fundi i vitit. Megjithë rezultatet premtuese të tregjeve gjatë dy javëve të fundit, analistët paralajmërojnë se ka ende shumë pengesa që mund ta sprapsin këtë përmirësim të ekonomisë dhe një nga treguesit më kokëfortë është niveli i lartë i papunësisë që pritet të arrijë 10 përqind deri në fund të vitit. (ze)

XS
SM
MD
LG