Lidhje

OBSH: Virusi i gripit të derrave mund të infektojë 2 miliardë vetë


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se virusi H1N1 i gripit të derrave mund të infektojë deri në 2 miliardë vetë gjatë dy vjetëve të ardhshëm, rreth një ndër tre vetë në botë.

Një zyrtar i lartë për agjencinë e Kombeve të Bashkuara, Keixhi Fukuda tha dje se OBSH-ja ka njoftuar deri tani vetëm raste të konfirmuara në laborator, por ato janë vetëm një fraksion i numrit të përgjithshëm i ineftimeve nga gripi i derrave. Zoti Fukuda tha se epidemia globale është ende në fazat e hershme.

Në një raport tjetër të OBSH-së thuhet se virusi është përhapur në pothuajse gjithë vendet e botës, duke shkaktuar 800 të vdekur që nga muaji prill.

Në Shtetet e Bashkuara, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve llogarisin se deri në 40 për qind e amerikanëve mund të preken nga gripi i derrave gjatë dy viteve të ardhshme. Nëse nuk zbulohet një vaksinë efektive për gripin e derrave, ekspertët e qeverisë amerikane thonë se deri në disa qindra mijë vetë mund të vdesin në gjithë vendin.

Vendet e hemisferës veriore po nxitojnë të prodhojnë një vaksinë për virusin H1N1. Në Shtetet e Bashkuara testimet tek njerëzit mund të fillojnë pas dy javësh.

Në fillim të vitit, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u dha një mostër të virusit disa prodhuesve farmaceutikë në mënyrë që ata të fillonin të prodhonin vaksina për testim në prova klinike që mund të nisin në fillim të gushtit.

Universiteti Emory në Atlanta është një nga laboratorët shëndetësorë të zgjedhur për të testuar vaksinën. Doktor Mark Mulligan thotë se ka nevojë për 300 vullnetarë.

"E vetmja mënyrë e krijimit të një ilaçi të ri është përmes pjesëmarrjes së komunitetit. Ne shpresojmë që me këtë emergjencë, shqetësimi i njerëzve do të bëjë që shumë vetë të dalin vullnetarë."

Tetë qendra në mbarë vendin do të testojnë vaksina, së pari tek adoleshentë të shëndetshëm dhe më pas në të gjitha grupmoshat.

Shpresa është që të ketë 100 milionë doza të vaksinës gati deri në mes të tetorit.

Universiteti Vanderbilt është gjithashtu një nga qendrat e studimit. Dr. William Schaffner drejton departamentin e mjekimit parandalues.

"Skenari më i keq do të ishte nëse virusi H1N1 përhapet në masë të madhe dhe kalon në epidemi para se ne të kemi vaksinën gati."

Si me çdo vaksinë që nxitohet për t'u prodhuar, ka shqetësime rreth rrezikut të efekteve anësore apo reaksioneve alergjike. Por zyrtarët e shëndetit publik janë të shqetësuar për mundësinë e një shpërthimi të furishëm të rasteve të virusit.

Shkencëtarët nuk e dinë arsyen përse disa njerëz duket të jenë më të rrezikuar sesa të tjerët. Por ata që preken nga virusi H1N1 më shumë janë fëmijët e moshave shkollore dhe adoleshentët. Mjekët në Qendrën Kombëtare Mjekësore kanë urdhëruar maska shtesë, respiratorë dhe ilaçe të gripit.

Virusi është pranë. Fëmijët vazhdojnë të preken prej tij. Dhjetra kadetë amerikanë janë sëmurur. Përhapja e virusit në verë i ka habitur zyrtarët e shëndetësisë. Will Humble drejton shërbimet shëndetësore në Arizona.

"Në gjithë karrierën tij mbi 20 vjeçare, nuk kam parë asnjëherë që gripi të përhapet në mes të verës."

Administrata amerikane e ushqimit dhe ilaçeve thotë se do të shpejtojë miratimin e vaksinës së virusit H1N1 për të ndihmuar në parandalimin e epidemisë.


XS
SM
MD
LG