Lidhje

NATO: Largohet Sekretari i Përgjithshëm Jap de Hup Shefer


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, u largua sot zyrtarisht nga detyra pas 5 vjet e gjysëm në krye të aleancës. Pasardhësi i tij, ish kryeministri danez, Anders Fogh Rasmussen, fillon zyrtarisht detyrën të hënën.

Udhëheqësit e NATO-s e zgjodhën ish kryeministrin danez për postin e Sekretarit të Përgjithshëm gjatë takimit të tyre të nivelit të lartë në muajin prill. Zoti de Hoop Scheffer nuk bëri ndonjë koment gjatë një ceremonie të shkurtër, që u zhvillua sot në selinë e aleancës në Bruksel. Por në të kaluarën, ai ka paralajmëruar vazhdimisht se lufta në Afganistan përbën një provë vendimtare të fuqisë dhe efektshmërisë së aleancës 60 vjeçare.

Ish shefi i NATO-s ka thënë se pasardhësi i tij, ish kryeministri danez, Rasmussen, trashëgon një aleancë që duhet të bëjë ndryshime për t’iu përshtatur sfidave të shekullit 21.

Afghanistani: 60 mijë trupa nga 15 vende. Është ndoshta sfida më e madhe e NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer thotë se aleanca duhet të qëndrojë aty dhe të luftojë.

“Në se do të tërhiqeshim, Afganistani do të binte në duart e Talibanëve dhe do të kishte pasoja shkatërrimtare për popullin atje, veçanërisht për gratë. Pakistani do të vuante pasojat, që do të kishin ndikim tek siguria ndërkombëtare”.

Kritikët thonë se operacionet e NATO-s në Afganistan kanë nxjerrë në dritë të metat e aleancës, si mungesa e vullnetit të duhur politik mes vendeve anëtare, koordimi i varfër logjistik, dhe mungesa e një strukture komande kompakte. Vështirësitë e NATO-s në Afganistan nuk janë vetëm ushtarake, por edhe diplomatike e praktike.
I shkatërruar nga luftrat prej dekadash, ky vend duhet rindërtuar.

“Suksesi i vërtetë në Afganistan kërkon rindërtimin civil, që nuk e garanton NATO-ja, por që duhet ta sigurojnë të tjerët. Në se këta aktorë të tjerë nuk angazhohen, as NATO-ja nuk mund të ketë sukses. Me pak fjalë, suksesi i NATO-varet gjithnjë e më shumë nga faktorë, që nuk janë nën kontrollin e aleancës”.

Zoti de Hoop Scheffer po ia kalon postin e shefit të NATO-s ish kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen.

“Mezi pres të vazhdoj punën e mirë, që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm në transformimin e NATO-s për të menaxhuar sfidat e reja të shekullit të 21-të”.

Këto sfida të reja do të thonë që aleanca duhet të ripërcaktojë misionin e saj, thotë analisti i NATO-s, Alastair Cameron, i Unstitutit studimor për shërbimet e bashkuara mbretërore në Londër.

“Mendoj se aleanca duhet të ndërmarë role të reja në fusha ku në të kaluarën nuk ka pasur përgjegjësi si siguria energjetike dhe mbrojtja në fushën e eletronikës”.

Gjithashtu ekziston çështja e zgjerimit të aleancës. NATO-ja ka 28 vende anëtare. Gjeorgjia dhe Ukraina duan të anëtarësohen, madje të paktën Gjeorgjia ka mbështetjen e Amerikës.

“Ne i kuptojmë dhe i mbështesim plotësisht aspiratat e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në NATO. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u ndihmojë juve të plotësoni standartet e anëtarësimit në aleancë”.

Ky qëndrim i Amerikës ka acaruar marrëdhëniet e NATO-s me Russia, një sfidë tjetër kjo që zoti Rasmussen duhet të zgjidhë kur të marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Një prej problemeve të para që ai pritet të zgjidhë është ndërtimi i konceptit strategjik të NATO-s, qëllimi i saj kryesor. Disa vende besojnë se Artikulli i Pestë, vetëmbrojtja kolektive e NATO-s, duhet të vazhdojë të jetë fokusi qëndror i aleancës, por jo të gjitha vendet anëtare mendojnë kështu.

“Që NATO-ja të ruajë efektshmërinë e saj, ajo duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet brënda rradhëve të saj. Vetë evropianët kanë perspektiva të ndryshme lidhur me misionin e NATO-s në Afganistan”.

Nuk ka dyshim se sfida më e dukshme e aleancës është Afganistani. Rezultati i konfliktit në atë vend do të ndihmojë në formimin e së ardhmes së NATO-s dhe mënyrën se si aleanca më e vjetër e botës ka në plan të zhvillohet në shekullin 21. //ii

XS
SM
MD
LG