Lidhje

Shqipëri: Së shpejti rifillon prodhimi i kromit me karbon të lartë


Në Shqipëri Kompania “Albanian Chrome” rifillon në ditët e para të gushtit prodhimin e kromit me karbon të lartë dhe po instalon teknologji të reja për të prodhuar edhe krom me karbon të ulët.

Ndezja e furrave të kromit e rikthen përsëri Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare, pas një ndërprerjeje disa-mujore që u shkaktua nga kriza ekonomike botërore dhe nga ulja e çmimit të metaleve. Uzina e ferrokromit do të prodhojë rreth 3 mijë tonë krom në muaj, gjysma nga të cilat do të jenë krom me karbon të ulët, një lëndë mjaft e kërkuar në tregjet ndërkombëtare.

Në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan pritet që pas pak ditësh të rifillojë puna për shkrirjen e kromit. Drejtuesit e punimeve këtu në repartin e shkrirjes tregojnë se sapo janë instaluar 3 furra të reja, dy nga të cilat do të prodhojnë krom me karbon të lartë dhe e treta do të prodhojë krom me karbon të ulët, i cili është aktualisht mjaft i kërkuar në tregjet ndërkombëtare.

“Furra e re që po ngrihet është e veçantë nga dy furrat e tjera në Uzinën e Ferrokromit, jo vetëm sa i takon konstruksionit të saj - ngaqë është një furrë e përkulshme - por edhe sepse në të do të përdoret një teknologji e re. Nga kjo furrë do të përftohet kromi me karbon të ulët. Ferrokromi me karbon të ulët prodhohet për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta edhe në rajon, ndërsa numërohen me gishtat e dorës vendet dhe uzinat që prodhojnë këtë lloj produkti.” - thotë drejtori i prodhimit në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan, Alfred Vangjeli.

Në repartin e shkrirjes puna u ndërpre pak muaj më parë për shkak të krizës ekonomike botërore dhe për shkak të rënies së çmimit të këtyre metaleve në tregjet ndërkombëtare. Por këtë kohë kompania “Albanian Chrome” e shfrytëzoi për të instaluar një furrë të re për të prodhuar krom me karbon të ulët.

“Aktualisht po bëhemi gati dhe për pak ditë do të ndezim furrën e tretë të uzinës për të prodhuar 1 mijë e 500 ton ferrokrom me karbon të lartë në çdo muaj. Ndërsa punimet për furrën e re, që nisën në pranverë, parashikohet të përfundojnë në mesin e shtatorit dhe do të prodhohen edhe 1 mijë e 500 ton të tjera kromi me karbon të ulët, pra gjithsej 3 mijë ton në muaj” - thotë zoti Vangjeli.

Nga ana tjetër, edhe sindikalistët thonë se janë shumë të interesuar për rifillimin e punës dhe të prodhimit në uzinë, duke theksuar faktin se gjatë kohës që furrat u ndaluan, asnjë punëtor nuk u hoq nga puna dhe ata u trajtuan shumë mirë nga ana financiare.

“Kur ndaloi puna, këshilli i sindikatës në bashkëpunim me drejtorinë e uzinës dhe me administratorin Hektor Beqja u ulëm në bisedime dhe vendosëm që të gjithë punëtorët do të mbaheshin në punë. U mbajtëm në punë për 4 muaj dhe u morëm me pastrime dhe me remontin e furrës, shumica me pagë të plotë dhe një pjesë me 60 për qind të pagës” - thotë Ismet Dauti, kryetari i sindikatës së Uzinës së Ferrokromit në Elbasan. - Tani punëtorët u njoftuan se puna po rifillon, jemi mbledhur të gjithë tek furra dhe mezi presim që të rifillojë shkrirja e metalit”.

Elbasani është një nga zonat industriale më të njohura të Shqipërisë. Krahas metalurgjisë së çelikut, këtu janë vendosur edhe një seri uzinash dhe reparte të shkrirjes së metaleve të veçanta si kromi. Në këto uzina dhe reparte shkarkojnë lëndët e para të gjitha minierat e Shqipërisë, prandaj edhe ndezja e këtyre furrave do të jetë edhe një nxitje tjetër për të rritur prodhimin në minierat e vendit. //ii

XS
SM
MD
LG