Lidhje

Shtohet numri i të pastrehëve në SHBA


Numri i familjeve të pastreha në Shtetet e Bashkuara po shtohet. Një prej zonave ku numri i tyre është në rritje është kryeqyteti i vendit, Uashington DC. Një agjenci qeveritare thotë se vitin e kaluar numri i të pastrehëve u rrit këtu 15%, shifra më e lartë në vite. Mjaft specialistë fajësojnë për këtë situatë rënien ekonomike në vend, si dhe koston e lartë të jetesës në këtë zonë.

Kjo është pamja më e dukshme e të pastrehëve; gra dhe burra të vetmuar, në moshë të thyer, të cilët nuk pranojnë të qëndrojnë në strehëza. Ata e kalojnë ditën në parqe publike dhe nëpër rrugë.

Monika Uoker, e cila është prind i vetëm, merr fëmijët nga shkolla në Uashington. Kjo familje është mes grupit të të pastrehëve që po shtohet me shpejtësi në këtë zonë.

Monika Uoker dhe katër fëmijët e saj kanë dy vjet që janë të pastrehë.

“ Nuk kisha ku të shkoja, dhe deklarova që isha e pastrehë, fëmijët e mi nuk kishin ku të shkonin. Kisha nevojë për ndihmë”. - thotë ajo

Në vitin 2007, Monika humbi shtëpinë dhe punën si pasojë e varësisë nga droga.

Tani ajo i është kthyer normalitetit dhe jeton në apartamentet e Komunitetit të Shpresës.

“Kam diçka që e quaj timen tani. Ndonëse është një qendër e përkohëshme, unë u them fëmijëve ”po shkojmë në shtëpi”.

Kjo organizatë e ndihmoi Monikën të kurohej për varësinë nga droga. Së shpejti, familja do të zhvendoset në një shtëpi me tre dhoma në Uashington.

“ Në një qendër të tillë, jeton sot për nesër. Por ky program të ndihmon të jetosh i pavarur dhe të kursesh para”.

Kelli Suini MekShein është Drejtoreshë e Përgjithshme e Komunitetit të Shpresës. Ajo thotë se në çdo kohë, ka 200 deri 300 familje të gatshme për t’u zhvendosur në shtëpi të përkohëshme. Por zgjidhja e vërtetë, thotë ajo, janë shtëpitë e përhershme.

“ Kur sistemohen në apartamente të tillë, ata janë më të gatshëm për t’u ndihmuar qoftë në çështjet e shëndetit mendor, ose me problemet që fëmijët e tyre mund të kenë në shkollë, apo problemet me drogën. Këto janë mjedise më të mira për shërbime të tilla.” - thotë ajo

Majkëll O’Rurk drejton një qendër për të pastrehët në Arlington të shtetit Virxhinia, në periferi të Uashingtonit, ku ka një shtim prej 25% të familjeve të pastreha. Këtu ka 10 apartamente për të pastrehët dhe ai thotë se organizatat i pregatisin banorët e këtushëm që të jetojnë në mënyrë të pavarur. Ai thotë:

“ Ata futen në programin tonë të quajtur ”adopto një familje”, ku qeraja financohet për dy vjet nga shteti. Kështu, njerëzit kursejnë të ardhura dhe vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë për të jetuar në mënyrë të pavarur, për të bërë biznes dhe punë”.

Në Uashington, Dona Mathjuz konsiderohet si një prej historive të suksesit. Ajo dhe djali i saj Jalen tani jetojnë në një apartament me dy dhoma, i financuar nga organizatat e Uashingtonit.

“ Kam arritur të kursej ca para, djali im është në shkollë private. Tani mund të fle dhe të kem ushqim në frigorifer. Për mua ky është si një pallat mbreti, pallati im dhe i tim biri”.

Dona thotë se tani ajo po nis jetën e saj të re. Në shtator, ajo do të fillojë shkollën dhe thotë se nuk do të bëhet e pastrehë më kurrë. //mm//

XS
SM
MD
LG