Lidhje

Mikrosoft, Yahoo arrijnë marrëveshje duke sfiduar Google


Kompania e madhe amerikane e kompjuterave Mikrosoft dhe kompania e internetit Yahoo kanë rënë dakord për një partneritet që dy kompanitë shpresojnë do të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit e internetit kërkojnë materiale në internet. Marrëveshja i siguron qasje Mikrosoftit në motorin e dytë kërkues të internetit në botë për nga madhësia. Por ekspertët e kësaj industrie thonë se marrëveshja është pjesë e një strategjie e cila synon të sfidoj mbizotërimin e motorit më të madh kërkues të internetit-Google.

Sa herë një përdorues futet në internet, skanerët e motorëve kërkues me padukshmëri i bëjnë skanimin miljarda informacioneve në një proces që përfundimisht do t'i ndihmojë ata të vendosin se cilën faqe të internetit duhet të hapin. Këta motorë kërkues janë të licensuar, algoritmet e ndërlikuara që mund të vlejnë dhjetra miliarda dollarë. Dhe, Mikrosofti, me motorin e tij kërkues, e ka bërë të qartë se dëshiron pjesë më të madhe të ketij biznesi.

Gjatë publikimit të marrëveshjes me kompaninë e internetit Yahoo, presidenti i Mikrosoftit Stiv Ballmer tha se kjo marrëveshje do të sfidojë kompaninë Google si kompania numër një në kërkimet në internet.

"Tani ekziston një kompani që me të vërtetë do ta mbizotërojë në tregun botëror për kërkime dhe reklamimet në internet. Partneriteti që ne po e publikojmë sot do të ndihmoj ne krijimin e një motori kërkues në Internet te dytë por më të fortë, dhe do të rrisë konkurrencën në fushën e kërkimeve në internet."

Marrëveshja në mes të gjigantit të programeve kompjuterike dhe portalit të internetit Yahoo kombinon motorët kërkues me renditje të dytë dhe të tretë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që t'i bëjnë konkurrencë kompanisë Google, që sipas vlerësimit të firmave në internet, kontrollon më shumë se gjashtëdhjetë e pesë përqind të tregut global.

Redaktori i revistës së internetit CRN Ed Moltzen thotë se kjo marrëveshje nuk do ta heqë kompaninë Google nga mbizotërimi i biznesit të internetit, por mund ta detyrojë kompaninë gjigante të internetit të jetë më e vëmendshme.

"Nëse kjo marrëveshje nuk bën asgjë përveçse ta detyrojë kompaninë Google të rrijë në gjendje gatishmërie dhe ndoshta ta ndryshoj pak radhitjen e prioriteteve, atëherë kjo do të cilësohej sukses për Mikrosoftin."

Kjo marrëveshje vjen pas pesë vjet përpjekjesh nga Mikrosofti për ta blerë pionierin e Internetit. Vitin e kaluar, kompania Yahoo refuzoi një ofertë për blerje të Mikrosoftit që kapte shumën prej dyzet e shtatë miljard dollarësh. Analistët thonë se që nga ajo kohë kompania Yahoo ka humbur shkëlqimin qe ka patur dikur.

Tani kompania Yahoo ka vlerë rreth njëzet e dy miliardë dollarë, dhe ende ka fitime, por të ardhurat e saj kanë rënë trembëdhjetë përqind nga marsi i këtij viti.

Drejtoresha e kompanisë Yahoo, Kerol Bartz thotë se marrëveshja dhjetë vjeçare do të rris të ardhurat operuese vjetore të kompanisë së saj për pesëqindë milion dollarë, dhe do të reduktoj shpenzimet për rreth dyqind million dollarë.

"Kjo marrëveshje do të na mundësoj të kemi një rrjedhë të shëndetshme të të ardhurave, dhe do të na mundësoj të investojmë në fusha kritike për të ardhmen tonë, ndërsa Mikrosofti investon në teknologjinë kërkuese."

Çelësi i suksesit për Mikrosoftin është futja e saj në biznesin fitimprurës të tregut të kërkimeve në internet. Sipas kësaj marrëveshje, motori kërkues i Mikrosoftit "Bing" do të bëhet teknologjia kërkuese përzgjedhëse për faqet e internetit të kompanisë Yahoo. Në shkëmbim, kompania me seli në Kaliforni do të ketë të drejta në shitjen e reklamave në motorët kërkues që janë profitabile për të dyja kompanitë.

Ed Moltzen nga revista e internetit CRN thotë se kjo marrëveshje është e mirë për kompaninë Yahoo, por kjo marrëveshje është edhe më e mirë për Mikrosoftin, e cila nuk ka patur nevoj të bëjë pagesë paraprake për nënshkrimin e marrëveshjes.

"Kjo është një marrëveshje e shkëlqyer për Mikrosoftin.Yahoo fiton të drejtën të mbetet kompani e pavarur, me një mik të ri, një aleat të madh si Mikrosoftin, që mund të ndihmoj atë të përqëndrohet në gjëra të tjera ku ata mendojnë se mund të jenë më të suksesshëm."

Pavarësisht nga vlerësime e mira që po merr për platformën e re të kërkimeve në internet, Moltzen thotë se, Mikrosofti ndeshet me një betejë të vështirë dhe pa garanci për sukses.

"Kështu që mos prisni që ndryshimet të ndodhin brenda natës për shkak të kësaj marrëveshje, por sigurisht brenda vitit tjetër, shpresojmë, ndërsa pasi të hymë në një periudhë më të mirë në ekonomi, ne do të fillojmë të shohim disa suksese reale ose dështime që do të dalin nga kjo."

Marrëveshja nuk pritet të finalizohet deri në vitin tjetër, dhe kjo nuk do të ndodhë derisa rregullatorët e anti-trustit do të vlerësojnë ndikimin e saj në tregun e reklamave në internet. Tani për tani, invesitorët nuk janë të impresinuar aq shumë. Aksionet e Mikrosoftit janë rritur tre cent më shumë pas publikimit të marrëveshjes, ndërsa aksionet e kompanisë Yahoo kanë rënë më shumë se dhjetë përqind. //kk//

XS
SM
MD
LG