Lidhje

Forcohet sektori i prodhimit industrial në botë


Të dhënat e reja ekonomike të publikuara sot tregojnë se sektori i prodhimit industrial në botë po forcohet.

Kina është në krye të rimëkëmbjes, ku prodhimi i fabrikave u rrit për të katërtin muaj me radhë në korrik.

Një tregues i rëndësishëm i prodhimit industrial në Kinë arriti gjithashtu nivelin më të lartë të këtij viti në korrik. Prodhimi u rrit nga kërkesa e brendshme më shumë sesa nga kërkesa për eksport.

Në Britani, një anketë e zhvilluar në fabrika tregon se prodhimi u rrit për herë të parë që nga muaji mars i vitit 2008.

Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat e sotme tregojnë se sektori i prodhimit të fabrikave u përmirësua dukshëm në korrik, megjithëse vazhdon tkurrja e tij.

Instituti i Menaxhimit të Ofertës thotë se indeksi i sektorit të prodhimit u rrit në 48,9 përqind në krahasim me 44,8 përqind që ishte në qershor. Nivelet mbi 50 përqind tregojnë rritje.

Në Evropë, një anketë tregon se prodhimi industrial në 16 vende që përdorin Euron vazhdon të tkurret, por me ritme më të ngadalta se më parë.

SHBA: RRITEN INVESTIMET NË NDËRTIM

Investimet në sektorin e ndërtimeve u rritën papritmas në muajin qershor.

Departamenti amerikan i Tregtisë tha sot se investimet në ndërtime u rritën me 0,3 përqind, duke arritur në rreth 966 miliard dollarë.

Analistët prisnin që industria e ndërtimit të njoftonte rënie.

Departamenti i Tregtisë thotë se ritmi i ndërtimit të shtëpive private shënoi rritje për herë të dytë brenda tre muajsh. Ndërsa ndërtimet e banesave publike të ndihmuara nga qeveria federale arritën nivelin më të lartë.

Megjithatë, investimet e përgjithshme të ndërtimeve në qershor ishin rreth 10 përqind më të ulta se vitin e kaluar.

Analistët mendojnë se shifrat e tanishme tregojnë se industria e ndërtimit ndjehet më e sigurt për rimëkëmjen ekonomike.//ii

XS
SM
MD
LG