Lidhje

Kriza e shitjes së shtëpive dhe rimëkëmbja ekonomike


Ekonomistët janë të një mendimi se recesioni më i rëndë në disa dekada ishte rezultat i krizës së tregut të shtëpive. Duke përdorur këtë logjikë, shumë vetë mendojnë se fundi i krizës së shtëpive po ashtu mund të sinjalizojë fillimin e rimëkëmbjes ekonomike. Për këtë arsye, shtrohet pyetja: në kushtet kur tregu i shtëpive po tregon shenja rigjallërimi, a do të jetë e largët rimëkëmbja ekonomike? Sipas disa ekonomistëve, përgjigja e kësaj pyetjeje është edhe po, edhe jo.

Në një tjetër shenjë shpresëdhënëse për tregun e shtëpive në Shtetet e Bashkuara, vëllimi i shitjeve shënoi një rritje prej 3,6 për qind në qershor, një shifër kjo më e lartë nga sa prisnin analistët. Raporti i Shoqatës Kombëtare për Biznesin e Shtëpive tregoi rritje për të pestin muaj rresht dhe kjo përkon edhe me prirje të tjera pozitive në tregun e shtëpive.

Mark Zandi i organizatës për analiza ekonomike Moody’s Economy.com thotë se forcimi i tregut të shtëpive është një nga treguesit kyresorë të rimëkëmbjes ekonomike.

“Mendoj se ky është një kusht i nevojshëm. Nuk mendoj që sistemi financiar do të stabilizohet dhe as që ekonomia do të fillojë të rigjallërohet, nëse nuk marrin fund problemet në tregun e shtëpive. Unë mendoj se këtyre problemeve po u vjen fundi.”

Por rigjallërimi i shitjeve është vetëm njëri nga koeficientët e një ekuacioni më masiv. Megjithëse përqindjet tërheqëse të interesave për kredi dhe stimujt nga taksat, për ata që blejnë shtëpi për herë të parë kanë ndihmuar në gjallërimin e shitjeve, zoti Zandi thotë se çmimet e shtëpive ende janë në rënie.

"Kjo do të thotë se shumë pronarë shtëpish po bëjnë pagesa mujore për shtëpi që kanë tani një vlerë më të vogël se sa vlera e huave të tyre", thotë zoti Zandi.

“Kjo vë në dukje atë që unë e konsideroj si kërcënimin më të madh ndaj ekonomisë -- marrjen e shtëpive në pronësinë e bankës".

Qeveria ka filluar një numër nismash për modifikimin e huave, për t’u dhënë mundësi të bëjnë pagesa më të vogla mujore. Por papunësia që pritet të arrijë nivelin më të lartë vitin e ardhshëm, mund ta ndërlikojë rimëkëmbjen ekonomike.

“Një nga arsyet përse po shohim këtë shkallë papunësie, është sepse bizneset kanë ndjerë panik thjesht për mbijetesën e tyre. Dhe natyrisht, investitorët, deri kohët e fundi, kanë qenë tepër nervozë dhe të frikësuar. Ka qenë pikërisht kjo mungesë besimi në ekonominë tonë që e ka vështirësuar më tepër gjendjen. Por kjo në të njëjtën kohë thekson diçka që unë mendoj se është e rëndësishme: që besimi është shumë i paqëndrueshëm. Mund të kalosh relativisht shpejt nga një gjendje e rëndë pesimizimi, në optimizëm.”

Ekonomisti Zandi thotë se shpenzimet e konsumatorëve, që përbëjnë dy të tretat e ekonomisë amerikane, janë tepër të rëndësishme për të rikthyer besimin e biznesit. Por ndërsa raportet më të fundit qeveritare tregojnë se shpenzimet u rritën rreth 0,5 për qind muajin e kaluar, ekonomistët thonë se rritja ndodhi në saje të çmimeve më të larta të benzinës.

Sipas ekspertëve, shenjat e nevojshme të rimëkëmbjes po shfaqen njëra pas tjetrës, por jo aq shpejt sa do të donim ne të gjithë. (ze)

XS
SM
MD
LG