Lidhje

Gejts mund të pranojë shtimin e trupave në Afganistan


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts e ka lënë të hapur mundësinë e dërgimit të trupave të tjera në Afganistan, por thotë se është ende i shqetësuar se nëse ka një numër të tepërt forcash të huaja, popullsia afgane do të reagojë negativisht. Në një konferencë për shtyp dje në Pentagon, zoti Gejts e pranoi se nuk do të donte të dërgonte më shumë se 68 mijë trupat që Presidenti Barak Obama ka autorizuar për Afganistanin. Ai tha se shumë afganë e shohin koalicionin si partnerin e tyre dhe se një rritje e konsiderueshme e pranisë ndërkombëtare në vend mund të fillojë ta ndryshojë një gjë të tillë.

Sekretari Gejts tha se pret të marrë një raport nga Gjeneral Stenli Mekristal pas zgjedhjeve për gjendjen në Afganistan, nga fundi i gushtit ose fillimi i shtatorit. Dhe pasi ta marrë atë, gjenerali mund të paraqesë një dokument tjetër ku të përfshihet kërkesa për forca shtesë, nëse do të ketë një të tillë.

Sekretari e pranoi se në të kaluarën ai ka shprehur rezerva për të dërguar për më shumë trupa në Afganistan, përveç pothuajse dyfishimit të tyre që Presidenti Obama autorizoi para disa muajsh deri në 68 mijë trupa. Por zoti Gejts sugjeroi se këndvështrimi i tij ishte ndikuar nga bisedat me gjeneralin Mekristal.

“Mendoj se gjenerali Mekristal ka të drejtë kur thotë se mënyra sesi këto forca sillen ndaj afganëve është një element i rëndësishëm”.

Zoti Mekristal nxorri një direktivë pak pasi mori komandën para dy muajsh duke urdhëruar trupat amerikane dhe të NATO-s nën komandën e tij që të bëjnë më shumë përpjekje për të shmangur viktimat civile mes afganëve. Zoti Gejts la të kuptohet se kjo është e rëndësishme, por ai nuk është i sigurt nëse është arsye e mjaftueshme për ta bërë të nevojshme rritjen e numrit të trupave.

“Deri tani, unë mendoj se shumë afganë na shohin si prani që jemi atje për të ndihmuar, si partnerë. Shqetësimi im është që ne nuk e dimë se në çfarë pike rritja e pranisë ndërkombëtare dhe ushtarake do të fillonte ta ndryshonte një gjë të tillë”.

Sekretari Gejts thotë se çdo rritje trupash do të duhej të bëhej vetëm pas konsultimeve me aleatët dhe me qeverinë afgane dhe do të kufizohej të paktën përkohësisht nga angazhimi i trupave amerikane në Irak, që nuk do të pakësohet në mënyrë të konsiderueshme deri vitin e ardhshëm.

Megjithatë Sekretari Gejts thotë se gjenerali Mekristal është i lirë të kërkojë çfarëdo që mendon se i duhet për të plotësuar misionin e tij, atë për të mos lejuar kthimin e Afganistanit në një strehë për terroristët ndërkombëtarë dhe për ta stabilizuar vendin aq sa duhet në mënyrë që qeveria afgane dhe forcat e saj të sigurisë për vendosur autoritetin e tyre.

“Gjeneralit Mekristal i ishte thënë direkt si nga kryetari i shtatmadhorisë dhe nga unë se ne duam që të kërkojë çfarëdo që të ketë nevojë. Mendoj se është e drejtë t’ua lejosh këtë liri komandantëve të ushtrisë. Kështuqë ne nuk po vëmë kufizime por po presim vlerësimin e tij dhe pastaj alternativatqë ai do të paraqesë”.

Disa ekspertë civilë që gjenerali Mekristal kishte ftuar në Afganistan për ta ndihmuar për vlerësimin e gjendjes kanë thënë se besojnë se atij i duhen më shumë trupa, por zyrtarët thonë se gjenerali nuk ka marrë akoma vendim. //kk//


XS
SM
MD
LG