Lidhje

Partneriteti eBay-General Motors për shitjen e makinave


Gjigandi i ankandeve në internet e-Bay, po bashkëpunon me kompaninë General Motors në përpjekje për të nxitur biznesin dhe për të ndryshuar mënyrën se si konsumatorët blejnë makina të reja. Shumica e shitësve të GM-it në Kaliforni po marrin pjesë në testimin e një programi i cili filloi para pak ditësh. Zyrtarët e kompanisë General Motors thonë se programi eksperimental synon ta bëjë më të lehtë blerjen e makinës për konsumatorët.

Për konsumatorët që nuk u pëlqen të blejnë makina nën trysninë e shitësve në dyqane, General Motors dhe E-Bay thonë se tani ka një mënyrë tjetër.

Zëvendës presidenti i E-Bay Motors Rob Çesni thotë se konsumatorët mund t’i bëjnë të gjitha veprimet përmes një kompjuteri.

“Për herë të parë, ata do të kenë rastin të shohin dhe të blejnë makinat e ekspozuara në internet njëlloj si në dyqan nga shitësit e GM-it në Kaliforni”.

Zoti Çesni thotë se faqja e internetit GM-eBay do t’u japë mundësi blerësve të zgjedhin modelin, ngjyrën dhe elemente të tjera, si dhe të negociojnë për çmimin dhe mënyrat e financimit, të gjitha këto pa pasur nevojë të takohen me shitësin.

“Ata do të kenë mundësinë ta bëjnë këtë nga shtëpitë e tyre”.

Programi testues vjen vetëm një muaj pasi GM-i shpëtoi nga falimentimi me premtimin se do të bëhet përsëri fitimprurës. GM-i, i cili dikur ishte prodhuesi më i madh i makinave, thotë se afrimi i tregut tek konsumatorët është pjesë e strategjisë. Shitësi i makinave Inder Dosanj habitet që kjo nuk ka ndodhur më parë.

“Personi që do të blejë nga Fordi apo GM-i do të ketë më shumë kohë për të negociuar me ne përmes e-Bay nga shtëpia e tij”.

GM-i thotë se partneriteti me e-Bay synon ta bëjë procesin e blerjes së makinave më të lehtë në çdo aspekt. Rreth 200 pika shitjeje në Kaliforni po marrin pjesë në testimin e programit i cili do të vazhdojë deri me 8 shtator. Nëse ky program do të ketë sukses në shitjen e më shumë makinave, atëherë e-Bay thotë se do ta zgjerojë atë edhe në shtete të tjera.//iç//

XS
SM
MD
LG