Lidhje

Një pajisje e re në ndihmë të pacientëve me diabet


Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se mbi 180 milionë vetë në botë vuajnë nga diabeti dhe se kjo shifër mund të dyfishohet brenda 20 vjetësh. Shumë diabetikë duhet të ndërpresin aktivitetin e përditshëm për të kontrolluar nivelin e gjakut disa herë në ditë dhe për të injektuar insulinë, kur nivelet në gjak janë anormale. Por pjesa më e madhe e tyre do të preferonin një metodë tjetër dhe tani një pajisje e re u ka ofruar shpresë.

14-vjeçarja Sara Carlow është me diabet. Ky është një fakt i pranishëm thuajse në çdo moment të jetës.

"Kontrolloj nivelin e gjakut mesatarisht 10 apo më shumë herë në ditë. Para se të ha mëngjes, drekë apo darkë. Kontrolloj nivelin para se të bëj sport. Më duhet të kontrolloj edhe nivelin e karbohidrateve."

Duke kontrolluar këtë nivel në të gjithë ushqimet dhe pijet që konsumon, Sara arrin të llogarisë sasinë e insulinës që duhet të injektojë. Por kohët e fundit kjo adoleshente u pajis me një pankreas artificial që e përmbush këtë funksion.

"Të çlirohesh nga nevoja e përditshme, biles e çdo minute për të kontrolluar nivelin e gjakut... Nëse vërtetë kjo realizohet do të kem një jetë si përpara; do të ishte mrekulli."

Sara ishte një ndër 17 adoleshentë me diabet të Tipit Një, të cilët u pajisën me pankreasin artificial në Spitalin Pediatrik Yale-New Haven. Kjo pajisje përdor një ndjesor për të kontrolluar nivelin e glukozës dhe një pompë që injekton nivelin e nevojshëm të insulinës.

Dr. Stuart Weinzimer i Spitalit Pediatrik Yale-New Haven thotë se pankreasi artificial mund të përdoret në të ardhmen edhe nga diabetikë të tjerë.

"Ka potencialin të ndihmojë këdo që vuan nga diabeti, i Tipit Një, apo i Tipit Dy, këdo që ka nevojë për insulinë."

Studiuesit thonë se insulina jepej vetëm me recetë nga mjeku. Por pankreasi artificial rezultoi shumë i saktë në ruajtjen e nivelit të insulinës deri në 16 orë. Kjo pajisje vazhdoi të pomponte insulinë në trup gjatë ushtrimeve fizike, ngrënies dhe në gjumë. Shkencëtarët planifikojnë të zhvillojnë prova në kushte më normale me pacientë jashtë spitalit. //ad//

XS
SM
MD
LG