Lidhje

Zgjedhjet në Afganistan përballë sfidave të mëdha


Për herë të parë në katër dekada Afganistani do t’i zhvillojë zgjedhjet vetë. Por nuk do të mungojë ndihma e huaj që konsiston në dhjetra mijra trupat e drejtuara nga NATO-ja. Këto trupa mbështesin forcat afgane të cilat garantojnë sigurinë dhe logjistikën e duhur për zgjedhjet. Komuniteti ndërkombëtar po siguron gjithashtu fondet për organizimin e zgjedhjeve dhe për fushatat që synojnë edukimin e votuesve. Por sfidat nuk do të mungojnë dhe njëra nga këto sfida, ndoshta më kryesorja është Talebani, i cili është i vendosur ta sabotojë procesin e votimit.

Në rrugët e kryeqytetit, fushata është e dukshme: thuajse kudo, në çdo rrugë mund të shikosh fotografitë e kandidatëve presidencialë.

Këto janë zgjedhje ndryshe nga ato të pesë viteve më parë, në të cilat Presidenti Hamid Karzai u shpall fitues nga të tjerë. Këtë herë janë afganët ata që e kontrollojnë procesin dhe do të ketë më pak këshilltarë dhe vëzhgues të huaj.

Ahmad Nader Naderi, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut për Afganistanin, thotë se gjendja e sigurisë nuk do ta lejojë praninë e më shumë vëzhguesve.

"Marrja e masave të sigurisë për secilin vëzhgues ndërkombëtar në një qendër të pasigurt votimi ose në një provincë të paqendrueshme është praktikisht e pamundur. Do të dëshiroja që të kishte më tepër vëzhgues ndërkombëtarë për t’i dhënë procesit besueshmëri dhe transparencë më të madhe.”

Për afganë si zoti Naderi, zgjedhjet e 20 gushtit janë me rëndësi mjaft të madhe.

"Mendoj se ky është një moment me rëndësi kritike në historinë e vendit tonë por edhe në skenën ndërkombëtare. Nëse ky projekt dështon për shkak të dhunës ose gjërave të tjera, zgjedhjet humbasin legjitimitetin dhe besueshmërinë. Kështu, fati i krejt projektit për stabilizimin në Afganistan dhe në rajon do të dështonte."

Zyrtari kryesor i OKB-së në Afganistan, Kai Eide, ndan të njëjtin shqetësim.

"Ka patur shumë zëra për manipulime dhe do të doja të theksoja se nën drejtimin e komisionit të pavarur zgjedhor, po vihen në zbatim një numër masash për të shmangur mashtrimet dhe parregullsitë ditën e zgjedhjeve."


Komisioni i Pavarur Zgjedhor luan një rol kyç për të garantuar se zgjedhjet do të jenë të drejta e të lira. Por zëdhënësi i tij, Noor Mohammad Noor i tha Zërit të Amerikës se Komisioni nuk është në gjendje të garantojë sigurinë për zgjedhjet.

"Kjo nuk është përgjegjësi e Komisionit Zgjedhor. Përgjegjësi të tilla i kanë trupat e ushtrisë dhe ato ndërkombëtare që ndodhen në Afganistan. Është përgjegjësi e tyre që të krijojnë mjedisin e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve."

Në portat e Universitetit të Kabulit studentët shprehin pikëpamje të ndryshme nëse kjo është ose jo e mundur.

"Roli i forcave ushtarake ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm. Ne jemi mirënjohës për faktin se ato kanë sjellë mjaft siguri në vend. Ne duam që ato të na shoqërojnë deri sa zgjedhjet të kenë mbaruar. Nëse nuk e bëjnë këtë, njerëzit nuk do të mund të votojnë. "

"Nuk mendoj se zgjedhjet do të jenë të lira e të drejta sepse ka një numër faktorësh që do t’i prishin ato. Ne e dimë se qeveria nuk ka kontroll mbi të gjitha rajonet e vendit. Mirpo, pa paqe dhe stabilitet si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të drejta? Njerëzit nuk do të votojnë dot me besim të plotë dhe ne nuk do të kemi një rezultat të pranueshëm nga këto zgjedhje."

Për gratë, ka shqetësime se ato nuk do të mund të shkojnë në kutitë e votimit, jo për shkak të mungesës së stabilitetit por për shkak të kufizimeve që u vihen atyre në këtë shoqëri konservatore.

"Gratë kanë të drejtën e votës dhe ato përbëjnë gjysmën e popullatës. Shpresoj që të gjitha familjet në Afganistan do t’i lejojnë gratë të marrin pjesë në zgjedhje,"
thotë një studente.

Ka mundësi që një pjesë e grave të mos lejohen të votojnë. Disa krerë ushtarakë të fiseve do të organizojnë votime në grup në favor të njerëzve të tyre. Në disa fshatra të largët, kutitë e votimit nuk do të dorëzohen dot për shkak të Talebanit dhe grupeve të tjera antiqeveritare.

Megjithë pengesat, qeveria afgane dhe komuniteti ndërkombëtar shpresojnë që bashkëpunimi mes tyre do të çojë në zhvillimin e zgjedhjeve të cilat të jenë mjaft të besueshme sa të pranohen paqësisht nga populli i Afganistanit. //ii

XS
SM
MD
LG