Lidhje

Mosmarrëveshjet arabo-kurde në Irak kërcënojnë stabilitetin


Rritja e tensioneve mes Bagdatit dhe rajonit kurd në veri të Irakut po kërcenon stabilitetin e brishtë që vendi ka arritur gjatë muajve të fundit. Mosmarrëveshjet territoriale dhe mbi të ardhurat nga nafta mes rajonit kurd dhe qeverisë qendrore të dominuar nga arabët në kryeqytet janë në qendër të vëmendjes, ndërsa dhuna nga kryengritësit sunni dhe shiitë ka shënuar rënie dhe trupat amerikane kanë pakësuar rolin e tyre luftarak. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Al Pesin, njofton se kryeministri irakian Nouri al-Maliki vizitoi kohët e fundit rajonin gjysëm-autonom të kurdëve ku u takua me presidentin e rajonit Masud Barzani. Të dy udhëheqësit u zotuan për më shumë bashkëpunim. Por shumë ekspertë besojnë se mosmarrëveshja mes arabëve dhe kurdëve në Irak paraqet kërcënimin më të madh ndaj paqes së ardhshme të vendit.

Në shumë vende, mosmarrëveshjet rajonale që përfshijnë kufijtë dhe të ardhurat qeveritare nuk do të paraqisnin ndonjë kërcënim për sigurinë. Por rajoni i kurdëve në veri të Irakut ka ushtrinë e tij, peshmerga, dhe ka shijuar një gjysëm-pavarësi nga pjesa tjetër e vendit që nga viti 1991.

Rajoni është i qetë dhe i suksesshëm ku së fundi u mbajtën zgjedhjet për qeverinë rajonale.

Kurdët, të cilët besojnë se janë në një pozitë të fuqishme për të nxitur kërkesat e tyre, dëshirojnë një pjesë më të madhe nga të ardhurat e vendit për naftën dhe pjesë shtesë të territorit në të cilin jetojnë kurdët. Por edhe qeveria qendore po ndjehet më e fuqishme me një ushtri më të efektshme dhe pas një roli të pakësuar të ushtrisë amerikane.

“Unë mendoj se rrethanat e tanishme këtu nuk janë aq premtuese”.

Majkell O’Hanlon është ekspert i njohur në Institutin Brukings në Uashington.

“Ata kanë pikëpamje tërësisht të ndryshme se si t’i zgjidhin këto gjëra. Unë nuk shoh ndonjë prirje drejt një konvergjence. I tërë mendimi për një Kurdistan të pavarur bie ndesh me idenë për një Irak të ri që të gjithë po bëjnë përpjekje për ta ndërtuar. Kështu që unë mendoj se ka nevojë për një kompromis”.

Kushtetuta e Irakut parasheh një referendum për statusin e ardhshëm të Kurdistanit, të Irakut dhe kufijve të tij. Por afati për këtë referendum tashmë ka skaduar. Të dy palët nuk mund të bien dakord për atë që do të përmbante referendumi dhe se kujt do ti lejohej që të votonte.

Çështja që ka nxitur më së shumti debate është statusi i qytetit të Kirkukut, qytet që kurdët e çmojnë shumë por i cili tashmë është jashtë territorit të tyre. Popullata e Kirkukut përbëhet nga përkatësi të ndryshme etnike dhe rrethinat e tij janë të pasura me rezerva nafte.

Ndërsa ushtria e Irakut është forcuar ka pasur disa provokime mes forcave kombëtare dhe atyre kurde, peshmerga.

Gjenerali amerikan Robert Kaslen, i cili udhëheq forcat e koalicionit në veri të Irakut, thotë se trupat e tij po punojnë me forcat qeveritare të Irakut dhe atyre të kurdëve për të ndërtuar besimin dhe shmangur përleshjet.

“Unë personalisht mendoj se çështja kurdo-arabe dhe tensionet e tanishme janë një ndër problemet më të mëdha për të gjithë Irakun dhe të cilat do të mund të përfundonin në një konflikt të armatosur mes kurdëve dhe arabëve”.

Gjenerali Kaslen thotë se varet nga udhëheqësit politikë të të dy palëve që të zgjidhin mosmarrëveshjen territoriale në mënyrë që të ulen tensionet.

Por Majkell O’Hanlon nga Instituti Brukings thotë se e vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është përmes një ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara, e cila ka ende ndikim të madh për shkak të numrit të trupave në Irak.

“Irakianët nuk dinë se si t’i japin fund kësaj mosmarrëveshje. Kështu që unë mendoj se ne duhet të përdorim ndikimin amerikan”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts u përpoq të përdorte influencën amerikane gjatë vizitës së tij në Irak në fund të qershorit. Pas takimit me kryeministrin Maliki në Bagdat dhe më pas me presidentin Barzani në selinë e tij zyrtare në Irbil, zoti Gejts tha se të dy udhëheqësit ranë dakord se është shumë me rëndësi që të arrihet përparim gjatë kohës që Amerika vazhdon të ketë një prani të konsiderueshme në vend.

Por njëri nga analistët më të njohur për Iranin në Uashington, Anthoni Kordesman i Qendrës për Studime Strategjike të Marrëdhënjeve Ndërkombëtare shpreh dyshim nëse kjo mund të ndodhë.

“Çdo marrëveshje kërkon vite që të vihet në funksion dhe të testohet. Këto janë probleme të cilat nuk mund të zgjidhen përmes një marrëveshje ose një referendumi, pasi nevojitet një gjysmë-dekadë përpjekje me plot durim. Ideja se ne mund t’i arrijmë të gjitha këto para se trupat tona të tërhiqen nuk është e mundur”.

Megjithëse të dyja palët po ndjehen më të fuqishme në aspektin ushtarak dhe politik, Kordesman thotë se atyre u nevojitet të punojnë drejt një kompromisi politik.

“Fakti qëndron se kurdët duhet ta kuptojnë se në se ata nuk e arrijnë një kompromis atëherë ata do të jenë të izoluar dhe do të ballafaqohen me fuqi armiqësore në të gjitha anët. Ata jetojnë një një vend të vogël dhe pa qasje në det. Arabët në Irak duhet ta kuptojnë se në se ata dëshirojnë të kenë siguri në veri të vendit, atëherë ata duhet të arrijnë një kompromis me kurdët”.

Por disa ekspertë janë të shqetësuar se në se mosmarrëveshja arabo-kurde nuk zgjidhet para se trupat amerikane të largohen në fund të vitit 2011, tensionet mund të nxisin një luftë civile në Irak në kohen kur vendi duhet të jetë në rrugën drejt stabilitetit.

XS
SM
MD
LG