Lidhje

Debati për reformën e kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara


Kur anëtarët e Kongresit amerikan filluan pushimet e verës këtë muaj, shumë prej tyre shkuan në distriktet që përfaqësojnë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve rreth projekt-ligjit për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetsor, i hartuar nga demokratët. Në takime të hapura me publikun dhe mbledhje të tjera në gjithë Shtetet e Bashkuara, debati lidhur me këtë projekt-ligj, veçanërisht neni i propozuar nga presidenti Obama lidhur me shpenzimet, që do të mbulojë qeveria, ose opsioni publik dhe se si do të paguhet për të, kanë nxitur debate të zjarrta mes ligjvënësve dhe votuesve. Përkrahësit dhe kundërshtarët e projekt-ligjit për reformimin e sistemit shëndetsor po përpiqen të ndikojnë tek ligjvënësit kur ata të votojnë pasi të kthehen në punë muajin e ardhshëm.

Debati lidhur me reformën në kujdesin shëndetsor është përçarës dhe këtë mësoi senatori Arlen Specter në një takim me publikun në shtetin e Pensillvanisë.

Qytetari: "Një ditë Zoti do t'ju gjykojë ju dhe të gjithë servilët e tu të mallkuar në Kongres".

Senatori Arlen Spektër: "Mirë, kjo është shprehje e demokracisë".

Shpërthime të tilla si në takimin e Senatorit Specter nuk ishin unike. Në gjithë Amerikën, votuesit, kryesisht ata që kundërshtojnë opsionin publik, kanë sulmuar me fjalë të ashpra zyrtarët e zgjedhur në këto takime.

Kundërshtarët e propozimeve të presidentit Obama, përfshirë edhe alternativën publike, thonë se ato janë socialiste dhe sinjalizojnë marrjen nën kontroll nga qeveria të kujdesit shëndetsor. Demokratët thonë se një kujdes më i mirë shëndetsor për miliona amerikanë, që nuk e përballojnë dot atë, është shumë i rëndësishëm.

Shpërthimi i zemërimit ishte diçka e papritur për kongresmenin demokrat, Dani Dejvis. Ai përfaqëson një zonë të Çikagos, që do të përfitonte nga opsioni publik, i propozuar nga Presidenti Obama, madje në përgjithësi e mbështet atë.

"Njerëzit e dinë se kanë nevojë për këtë projekt-ligj dhe e duan atë, prandaj ne duhet ta miratojmë. Njerëzit në komunitetin tonë mendojnë se problemi kryesor në projekt-ligj është se nuk bën sa duhet, por ata e dinë se ai është më i mirë se sa alternativat ekzistuese, prandaj e mbështesin atë".

Por në një zonë rurale të Ilinoit, kongresmeni republikan Tim Johnson dëgjoi një mesazh tjetër nga qindra votues si Sue Wrede, të cilët mbushën Sallën e Bashkisë për të shprehur shqetësimet e tyre.

"Erdha këtu pikërisht për t'ju kërkuar që të mos votoni për këtë projekt-ligj."

Debati rreth reformimit të kujdesit shëndetsor dhe si të paguhet për të nuk zhvillohet vetëm mes ligjvënësve dhe votuesve. Në qytetin Laport në shtetin Indiana, një grup i quajtur Amerikanët për Begati shkuan në atë qytet me një autobus, në të cilin shkruhej: "Mos Prekni kujdesin tim shëndetsor", dhe zhvilluan një debat të hapur përpara gjykatës së distriktit. Amy Menefee, zëdhënëse e grupit, tha se ky aktivitet nuk u organizua nga një parti politike.

"Ne nuk jemi një organizatë politike, por mbështesim tregun e lirë. Anëtarët e grupit tonë janë njerëz të interesuar në çështjet fiskale, dhe në mbajten e taksave sa më ulët".

Përkrahësit dhe kundërshtarët e projekt-ligjit kanë akuzuar njeri tjetrin se përpiqen t'i sabotojnë këto mbledhje publike si mënyrë për të ndikuar në rezultatin e debatit. Kongresmani Davis thotë se ndërsa përpiqet t'i japë formë debatit, ai kritikon taktikat e përdorura nga kundërshtarët e planit. Por votues si Ray Henry në distriktin rural të kongresmanit Johnson thonë se janë karakterizuar negativisht nga mjetet e shtypit.

"E vetmja gjë që dëgjon nga demokratët është se të gjithë ne që vijmë në këto takime jemi nazistë".

"Asnjë njeri, në të dyja anët e këtij debati, nuk është nazist", i përgjigjet atij kongresmeni Xhonson.

Kongresi mblidhet përsëri në shtator dhe ligjvënësit kanë disa javë kohë të dëgjojnë shqetësimet e votuesve që ata përfaqësojnë, para se të merret një vendim për kujdesin shëndetsor në Shtetet e Bashkuara. //iç//

XS
SM
MD
LG