Lidhje

SHBA reagon ashpër pas lirimit të autorit të sulmit mbi Lokërbi


Një ish-agjent libian që po vuante burgim të përjetshëm për bombardimin e një avioni në vitin 1988 mbi Lokërbi, duke shkaktuar vdekjen e 270 vetëve, u kthye në Libi pasi autoritetet skoceze e liruan për arsye humanitare. Abdel Baset al-Megrahi mbërriti dje në mbrëmje në aeroportin e Tripolit. Qindra të rinj libianë e përshëndetën atë, duke brohoritur dhe duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe portretin e tij ndërsa dëgjoheshin tinguj këngësh libiane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e quajti të gabuar vendimin e Skocisë. Ai tha në një radio amerikane se qeveria libiane nuk duhet ta mirëpriste Megrahin dhe duhet ta vendoste atë nën arrest shtëpiak. Zyrtarë të tjerë të administratës amerikane thanë se drejtësia nuk ishte vënë në vend me lirimine e tij.

Shtetet e Bashkuara po shprehin një keqardhje dhe zhgënjim të thellë mbi vendimin skocez për të liruar autorin e bombardimit në Lokërbi dhe kanë paralajmëruar Libinë që të mos ta trajtojë si hero terroristin, ose përndryshe do të përballet me pasoja në marrëdhëniet dypalëshe.

Vendimi i autoriteteve skoceze për të liruar Megrahin, që thuhet se është në prag të vdekjes nga kanceri në prostat, për arsye humanitare ishte i pritshëm dhe si Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit shprehën keqardhje për këtë veprim.

Presidenti Obama, në një intervistë në radio, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se lirimi ishte një gabim dhe ia ka transmetuar këtë mesazh autoriteteve skoceze, si edhe i ka thënë qeverisë libiane se Megrahi nuk duhej të mirëpritej dhe duhet të vendoset nën arrest shtëpiak.

Në një konferencë për shtyp, ndihmës sekretari i shtetit për Çështje Publike, Pi Xhei Krolli tha se drejtësia nuk është vënë në vend por është minuar nga lirimi, që ai tha se përbën një shembull të keq për një komunitet botëror që po përpiqet të luftojë terrorizmin.

"Ajo që na shqetëson më shumë janë mesazhet e përziera që kjo dërgon, përsa u takon atyre që kanë menduar në të kaluarën apo mund të mendojnë edhe në të ardhmen për të kryer akte dhune politike. Dhe për këtë arsye ne kemi thënë me forcë se si autori i njërit prej akteve më të tmerrshme në historinë e viteve të fundit, ai duhet ta vuante plotësisht dënimin dhe të mos lirohej".

Në vitin 2001, një gjykatë e posaçme skoceze e mbledhur në Hollandë e shpalli fajtor Megrahin, një agjent të zbulimit libian, për bombardimin e një avionit Pan Am mbi Lokërbi të Skocisë, duke shkaktuar vdekjen e 270 personave.

Një zyrtar i lartë që foli me gazetarët tha se Shtetet e Bashkuara shprehën indinjatën për lirimin e Megrahit si tek zyrtarët e qeverisë britanike ashtu edhe tek administrata rajonale skoceze. Ai tha se ndërsa autoritetet skoceze kishin të drejtën ligjore të lironin libianin, Shtetet e Bashkuara mendojnë se ky është një gabim shumë i madh.

Zyrtari tha se diplomatëve libianë iu tha dje si në Uashington ashtu edhe në Tripoli se Megrahi nuk duhet të pritet si hero, as tani dhe as për ditën kombëtare të Libisë më 1 shtator.

Ai tha se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara u kanë thënë autoriteteve libiane se mënyra sesi ai trajtohet, do të ndikojë tek marrëdhënia mes dy vendeve.//kk//

XS
SM
MD
LG