Lidhje

SHBA: konsumatorët nuk po shpenzojnë sa duhet


Çmimet e aksioneve kanë ndryshuar së tepërmi këtë javë, pas rënies së ndjeshme të hënën, ato u ngritën përsëri të martën dhe të mërkurën. Analistët thonë se këto luhatje ka të ngjarë të vazhdojnë. Megjithë disa raporte pozitive për të ardhurat dhe shenjat e stabilitetit ekonomik, investitorët janë të shqetësuar se konsumatorët amerikanë nuk po shpenzojë sa duhet për ta ngritur ekoniminë nga recesioni.

Çmimet e aksioneve vazhdojnë zig-zaget në Wall Street, ndërsa investitorët vazhdojnë të luhaten mes optimizmit dhe pesimizmit. Megjithëse ekspertët thonë se ekonomia amerikane ka filluar të stabilizohet, për disa amerikanë, ekonomia më e madhe e botës shpesh arrin në diskutimin e çmimit.

"Nuk dua të paguajë më shumë se 20 dollarë për këtë çantë”.

Ariana është ende e vogël për të kuptuar mekanizmin ekonomik, por po mëson shumë gjatë këtyre blerjeve me nënën.

"Ç’mendon për këto? Janë me skonto".

Federata Kombëtare e Shitjeve thotë se shitjet e mjeteve mësimore kanë rënë 8 përqind, kjo do të thotë se familjet do të shpenzojnë mesatarisht 46 dollarë më pak se sa vitin e kaluar në fillim të vitit shkollor. Ekonomistja Diane Swonk thotë se ka një arsye që investitorët të jenë të shqetësuar.

"Është çështja e besimit të humbur e ngjashme me atë të fillimit të viteve 80-të. Konsumatorët nuk po shpenzojnë”.

Konsumi nxit ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Mark Zandi, krye-ekonomist i faqes së Internetit Economy.com të Mood-it, thotë se kur besimi i konsumatorëve bie, investitorët e ndjekin atë me kujdes.

"Gjatë 25 vjetëve të fundit që nga fillimi i viteve 80-të, konsumatori amerikan ka qënë faktori që ka nxitur rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në fakt në botë. Konsumatorët nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë këtej e tutje”.

Zandi thotë se kjo ndodh sepse amerikanët me të ardhura të ulta dhe mesatare ndjehen të pasigurt për punën dhe disa e kanë të vështirë të marrin hua. Ai thotë se edhe amerikanët me të ardhura të mëdha nuk ndjehen aq të pasur sa më parë.

"Për mendimin tim konsumatori amerikan do të bëjë atë që i takon, të shpenzojë sa për të nxitur rritjen për ta nxjerrë ekonominë nga recesioni, por ai nuk mund të ketë rolin drejtues. Duhet që edhe konsumatori në pjesën tjetër të botës, veçanërisht në ekonomitë në zhvillim, të shpenzojë, me qëllim që ekonomia botërore të fuqizohet”.

Mëkëmbjen e komplikojnë edhe papunësia dhe kriza e banesave. Rreth 250 mijë vende pune u suprimuan muajin e kaluar dhe falimentimet e pronarëve të banesave janë në nivel rekord. Megjithatë, strategia e investimeve, Liz Ann Sonders thotë se teknikisht recesioni ka përfunduar.

"Për tri muaj me radhë, treguesit kryesorë kanë qënë në ngritje. Ky është sinjal që shumë ekonomistë e komentojnë si dalje nga recesioni. Tani jemi në fazën e ringritjes”.

Por kriza ende nuk ka marrë fund. Departamenti i Thesarit thotë se dhënia e huave nga bankat amerikane që morrën ndihmë ka rënë për të pestin muaj radhazi dhe papunësia pritet të arrijë përqindje dy shifrore vitin e ardhëshëm.

Ekonomistët thonë se në këto kushte mëkëmbja ka të ngjarë të jetë e ngadalshme dhe graduale, prandaj edhe luhatjet e mëdha në Wall Street vazhdojnë./ap.

XS
SM
MD
LG