Lidhje

Afganistan: Kandidatët presidencialë shkëmbejnë akuza për manipulime


Rivali kryesor në zgjedhjet presidenciale në Afganistan thotë se ka patur manipulime të mëdha në votimin e javës së kaluar.

Ish ministri i jashtëm Abdullah Abdullah tha se pjesëmarrja e votuesve në disa zona njoftohet të ketë qënë katër herë më e lartë se sa numri aktual i votuesve. Ai akuzoi zyrtarët nga administrata e presidentit Hamid Karzai për vjedhje të votave.

Fushata e zotit Karzai i mohoi akuzat dhe akuzoi përkrahësit e zotit Abdullah për manipulime.

Komisioni i Pavarur Elektoral tha se rezultati përfundimtar ka mundësi të mos zyrtarizohet derisa të jenë shqyrtuar ankesat me përparësi të lartë.

Komisioni i Pavarur Elektoral ka marrë 225 ankesa që kur votimi u mbyll të enjten, përfshi 35 akuza që janë thelbësore për rezultatin e zgjedhjeve tha Grant Kippen, kreu i organizatës që mbështetet nga OKB-ja.

Në një konferencë shtypi në Kabul, zoti Kippen tha se rezultati përfundimtar ka mundësi të mos zyrtarizohet derisa të jenë shqyrtuar ankesat me përparësi të lartë.

"Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të mos njoftohet derisa të jenë shqyrtuar dhe të merret vendim për ankesat me përparësi të lartë. Kur të merret ky vendim do ti dergojmë një letër Komisionit të Pavarur të Zgjedhjeve për hetimin e bërë ndaj të gjitha ankesave dhe më pas ata do të jenë të lirë të zyrtarizojnë rezultatin përfundimtar".

Sfiduesi kryesor i presidentit Hamid Karzai, ish ministri i jashtëm Abdullah Abdullah, akuzon presidentin për manipulim të votave.

"Fokusi im sot është manipulimi i madh që mund të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Kjo duhet ndalur dhe është kritike për procesin".

Vëzhguesit e zgjedhjeve thanë se procesi i votimit ishte në përgjithësi i besueshëm por cituan raste të manipulimeve dhe dhunës.

I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin tha sot se akuzat për manipulimin e votimeve ishin të pritshme por u bëri thirrje vëzhguesve të presin për procesin zyrtar të ankimeve para se të gjykojnë legjitimitetin e zgjedhjeve.

"Ne kemi zgjedhje të diskutueshme në Shtetet e Bashkuara. Edhe këtu mund të ketë pikëpyetje. Kjo nuk do të më çudishte", tha Richard Holbrooke që vizitoi sot Heratin.

I dërguari i posaçëm i presidentit Obama tha se qeveria amerikane do të presë vendimin e organit monitorues para se të gjykojë në se zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta.

Rezultatet paraprake nuk do të shpallen deri të martën ndërsa ato përfundimtaret priten muajin e ardhshëm.//rd//

XS
SM
MD
LG