Lidhje

Obama: Kenedi, një udhëheqës i jashtëzakonshëm


Presidenti Barak Obama ashtu si gjithë vendi po kujton Ted Kenedin, duke e cilësuar atë si një prej senatorëve më të mëdhenj të kohës sonë. Ai tha se zoti Kenedi ishte mbrojtësi i një ëndrre.

“Jeta e tij e jashtëzakonshme në planetin tonë ka marrë fund, të mirat e jashtëzakonshme që ai bëri, jetojnë akoma”.

Presidenti tha se Amerika mund të mos shikojë më një Ted Kenedi tjetër: një ligjvënës veteran, që la gjurmë të pashlyeshme në të gjitha aspektet e jetës në Shtetet e Bashkuara nga kujdesi shëndetsor tek të drejtat civile e arsimi.

“Idetë dhe idealet e tij janë vulosur në dhjetra ligje, që ndikojnë në jetën e miliona njerëzve”.

Presidenti Obama ishte në shtetin e senatorit kur ai vdiq, jo shumë larg kompleksit të banimit të familjes Kenedi në qytetin Hajanis Port të shtetit Masaçusets.

Kishte pasur disa shenja se dy politikanët mund të takoheshin gjatë pushimeve të familjes Obama në Martha's Vineyard. Përkundrazi, presidenti e gjeti veten duke folur rreth humbjes së një njeriu i njohur edhe si "luani liberal" i Senatit.

“Emri Kenedi është sinonim i Partisë Demokrate dhe herë herë Tedi ishte objektiv i sulmeve partiake. Por në senatin amerikan, nuk mund të mendoj për ndonjë njeri tjetër që ngjalli respekt dhe afeksion më të madh nga anëtarët e të dyja partive politike”.

Në komentet e shkurtra që bëri me këtë rast, presidenti tha se e shikon vdekjen e Ted Kenedit si një humbje personale. Zoti Kenedi ishte mentor kur presidenti Obama u zgjodh së pari në senatin amerikan, madje ishte një mbështetës i hershëm dhe fortë i kandidaturës së zotit Obama për president.

“Gjatë disa viteve të fundit, pata nderin ta konsideroja Tedin koleg, mik dhe këshilltar. Dhe megjithëse e dinim për një farë kohe se kjo ditë do të vinte, druajtja nuk ishte asnjëherë e vogël”.

Senatori Kenedi vdiq në shtëpinë e tij në Mesëçusets. Vëllai i fundit gjallë i ish presidentit Xhon Kenedi ishte 77 vjeç. //ii


XS
SM
MD
LG