Lidhje

Cheney kategorikisht kundër hetimit të zyrtarëve të CIA-s


Me një gjuhë të ashpër dhe aspak të rezervuar, ish zv/presidenti i Shteteve të Bashkura, Richard Cheney, akuzoi Presidentin Barack Obama se po krijon “një precedent të tmerrshëm” me fillimin e hetimeve “tejet tendencioze, me motive politike ndaj administratës paraardhëse” dhe tepër të dëmshëm për sigurimin kombëtar amerikan. Analistët thonë se me këto kritika zoti Cheney vuri në diskutim aftësinë e zotit Obama për të qënë komandat i përgjithëshëm i forcave amerikane. Administrata Obama nuk ka reaguar ndaj kritikave të ish zv/presidentit.

Zoti Cheney u intervistua më 30 gusht 2009 nga "Fox News Sunday", disa ditë pasi Prokurori i Përgjithëshëm, Eric Holder dha urdhër për fillimin e hetimeve të zyrtarëve të Agjencisë Qendrore të Zbulimit , CIA, që dyshohen se tejkaluan direktivat e administratës Bush për teknikat e pranueshme të marrjes në pyetje të të ndaluarve për terrorizëm. Urdhëri përkoi me raportin e inspektorit të përgjithëshëm të CIA-s për përdorimin e të ashtuquajturave “tenika të avancuara hetimi” në vitit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Ish zv/presidenti amerikan tha se këto teknika ishin “absolutisht esenciale” për t’u nxjerrë informacione të ndaluarve duke shtuar se hapja e hetimeve tani ndaj atyre që i kanë praktikuar ato, përbën një “akt indinjues politik” dhe një “goditje direkte për CIA-n”. Zoti Cheney iu shmang pyetjeve se çfarë duhet bërë me ata zyrtarë të CIA-s që mund të kenë shkelur ligjet në përdorimin e teknikave të hetimit, por ai sulmoi ashpër Presidentin Obama dhe Partinë Demokrate se janë të butë kur është fjala për sigurimin kombëtar amerikan. "Unë kam dyshime serioze rreth politikave të tij”, tha zoti Cheney, "dyshime serioze nëse ai i kupton si duhet dhe a është i përgatitur sa duhet për të bërë atë që është e nevojshme për të mbrojtur vendin”.

Gjithashtu, ai refuzoi të thoshte nëse do të bashkëpunojë në hetimet e Departamentit të Drejtësisë, duke u shprehur se “kjo varet nga rrethanat dhe nga veprimet që ata kanë kryer”. Zoti Cheny tha se Presidenti Obama duhet ta kishte ndalur Prokurorin e Përgjithëshëm Holder të jepte urdhër për hapjen e hetimeve, pasi Presidenti kishte premtuar që të mos bënte hetime ndaj personelit të CIA-s. Pa e ndalur aspak barazhin e kritikave, ish zv/presidenti amerikan tha se këto hetime, në një periudhë afatgjatë “do të dëmtojnë mundësitë tona për të patur njerëz në detyra të vështira, që të marrin vendime të vështira, pa patur frikë se si do t’i gjykojë ata administrata e ardhëshme”.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ndërmori muajin e kaluar hetime për të përcaktuar nëse Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, shkeli ligjin duke mos e informuar Kongresin për programin e saj sekret.

Lexo dhe komento: http://zeriamerikes.wordpress.com

XS
SM
MD
LG