Lidhje

Atletët përballë garës sfilitëse prej 200 kilometrash në Kaliforni


Çdo verë, dhjetëra atletë nga e gjithë bota marrin pjesë në një garë të vështirë 200 kilometërshe në shtetin e Kalifornisë në temperatura tepër të larta. Afro 90 atletë e fillojnë garën në Luginën e Vdekjes afro 90 metra nën nivelin e detit. Gjatë një periudhe kohore prej një, dy apo tri ditësh ata vrapojnë në një terren malor për të arritur në Malin Whitney në Sierra Nevada rreth 2 mijë e 400 metra mbi nivelin e detit. Gara organizohet nga kompania AdventureCorps Incorporated, e cila është e specializuar në organizimin e aktiviteteve sportive në kushte ekstreme. Në vazhdim një portret i dy atletëve pjesëmarrës në këtë garë të frymëzuar nga motive dhe përvoja krejt të ndryshme.


Çarlie Engle së shpejti do të ndeshet me një sfidë madhore. Ai dhe dhjetëra atletë të tjerë nga e gjithë bota kanë ardhur këtu për të marrë pjesë në garën “Badwater”. Këta atletë u zgjodhën si kandidatë për të duruar garën dërrmuese prej 200 kilometrash në temperatura deri në 55 gradë celcius.

Çarlie për dhjetë vjet pat qenë nën varësinë e kokainës dhe dukej se ky ves po e çonte në shkatërrim, por e kapërceu problemin kur zhvilloi varësinë ndaj një vesi tjetër, këtë herë më të shëndetshëm, vrapimit.

Është e gjashta herë që Çarli merr pjesë në këtë garë. Tani që e ka kapërcyer problemin e drogës, ai nuk do thjesht të konkurojë, por edhe të fitojë.

“Rreth dy muaj më parë e vendosa se këtë herë dua të fitoj."

46-vjeçari Çarli thotë se që të përballosh një sfidë si gara “Badwater” duhet të kesh një farë moshe, që të kesh kaluar edhe vuajtje.

Nickademus Hollon nuk ka një të kaluar problematike. Megjithatë, atleti 19-vjeçar ka arsyet e tij që e shtynë drejt kësaj aventure sfilitëse.

“Më duket sikur jam në majë të botës, si në shpirt edhe në pamje.”

Ai është atleti më i ri që hynë në këtë garë. Në fillim, pak veta kishin besim se ai do ta përfundonte garën, dhe shumë më pak besonin se ai do ta përballonte fizikisht dhe emocionalisht për të qenë ndër konkurentët më të fortë.

“Isha i bindur që kur u regjistrova për garën se do të arrija deri në finish.”

Në përgatitje për këtë garë, Niku e bëri dy herë me vrap të gjithë distancën. Megjithëse kjo përgatitje të garanton pjesëmarrjen, nuk të garanton dot se do të arrish vijën e finishit.

Shumë faktorë mund të bëhen pengesë. Problemet e stomakut dhe flluskat në këmbë janë të zakonshme në këtë garë. Charli kishte disa herë të vjella gjatë gjysmës së parë të garës dhe vetëm brenda pak orësh ra në peshë afro 5 kilogramë.

Ndryshe nga ai, Niku realizoi një fillim të shpejtë, por pas 140 kilometrash e ngadalësoi ndjeshëm ritmin.

Përse e torturojnë veten në këtë formë këta individë? Çarli thotë se dhimbja për të është metaforë e jetës, pasi i kujton atij sa ka përparuar për të kapërcyer varësinë tek kokaina dhe për të arritur këtu.

Çarli nuk arriti të dilte i pari, por shkurtoi kohën e tij në këtë garë, edhe kjo një sukses i madh për këdo që mendon se varësia tek droga është e pakapërcyeshme. Tani 46-vjeçari Çarli po përgatitet për garën e ardhshme dhe nuk ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga atletika.

Ndërsa për Nikun gara “Badwater” është thjesht fillimi i pasionit të tij për vrapimin dhe për të zbuluar kulmin e potencialit të tij fizik. Ai thotë se do të kthehet vitin e ardhshëm, pa dyshim përkrah shumë atletëve të tjerë që vijnë këtë për të provuar veten apo për të luftuar errësirën e së kaluarës së tyre. //ad//
XS
SM
MD
LG