Lidhje

Moamar Gadafi dhe përse proteston qyteza në Nju Xhersi


Udhëheqësi libian Moamar Gadafi po tërheq mjaft vemendje këtë javë për shkak të festimeve në Tripoli me rastin e 40 vjetorit të grushtit të shtetit që e solli atë në pushtet. Zoti Gadafi ka ftuar udhëheqës të shumë botërorë për të marrë pjesë megjithëse shumë personalitete perëndimore kanë refuzuar. Nga fundi i këtij muaji, kolonel Gadafi do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Fillimisht ai kishte ndërmend të ngrinte një tendë në një pronë që Libia ka në Englewood të shtetit Nju Xhersi. Mirëpo kjo shkaktoi protesta të shumta në këtë qytezë të vogël ku banon një komunitet i madh hebrenjsh konservatorë.

Festimet e organizuara nga qeveria në rrugët e Tripolit shënojnë përvjetorin e revolucionit të udhëheqësit libian Moamar Gadafi 40 vjet më parë.

Por mijra kilometra më tej, në Nju Xhersi, Gadafi po pritet krejt ndryshe, megjithëse ende nuk ka shkelur në tokën amerikane.

"Nuk dua që ai të vijë në tokën amerikane dhe as nuk dua që ai të flejë në qytetin tim…" thotë Michael Wildes, kryebashkiak i Englewood-it, një qytezë e Nju Xhersit të cilën e ndan nga Manhatani lumi Hadson.

Në qytezë ndodhet një kompleks banimi, pronë e qeverisë libiane. Fillimisht zoti Gadafi kishte ndërmend të ngrinte një tendë në lëndinën aty pranë për të pritur mysafirë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit.

Para shumë muajsh, punëtorët filluan riparimet në kompleks si dhe përgatitjen e lëndinës.

Rabini Shmuley Boteach banon aty pranë.

"Kjo ka qenë një shtëpi e shkatërruar. Ka qenë një shëmtirë e vërtetë për 10 vjet me radhë dhe askush nuk investonte për ta rregulluar. Madje ishte e pabanueshme. Unë as që kisha dëshirë të ecja aty pranë për të përshëndetur fqinjët. Papritmas, para tre muajsh, ajo u gjallërua,"
tregon rabini.

Banorët protestuan kundër ardhjes së Gadafit. Autoritetet e qytezës kërkuan në gjykatë ndërprerjen e të gjitha punimeve, me arsyen se ato ishin kundër rregullave të ndërtimit.

Një gjykatës dha urdhër për ndërprerjen e punimeve jashtë ndërtesës. Nga fundi i javës së kaluar, Departamenti i Shtetit tha se kolonel Gadafi nuk do të qendrojë në Englewood dhe se qeveria amerikane nuk do t’i kufizojë lëvizjet e tij në Shtetet e Bashkuara.

Kryebashkiaku thonë se punimet brenda ndërtesës vazhdojnë dhe shumë banorë kanë frikë se zoti Gadafi mund të shfaqet aty pa lajmëruar.

"Ai mund të qendrojë në një anije mbi lumë ku mund t’i ngrejnë tendën dhe ta shëtisin andej këtej. Kështu ai mund të shijojë pamjen e bukur dhe ndoshta gjethet e vjeshtës por jo të vijë këtu pranë shtëpisë sime," thotë rabini Shmuley Boteach.

Banorët në Englewood janë të zemëruar për faktin që muajin e kaluar, Gadafi priti me madhështi kthimin e Abdel Baset al-Megrahit, libianit të dënuar me burgim të përjetshëm për hedhjen në erë më 1988 të avionit të shoqërisë Pan Am mbi Lockerbie të Skocisë. Skocia e liroi atë për arsye humanitare sepse ai vuan nga një sëmundje e pashërueshme.

Tredhjetetetë nga të 270 njerëzit që humbën jetën në Lockerbie ishin nga Nju Xhersi.

"Spektakli i pritjes që ai bëri njeriut i cili hodhi në erë avionin mbi Lockerbie ishte i pështirë sepse ky person vrau 270 njerëz të pafajshëm në dhjetor 1988. Me pritjen prej heroi që i bëri atij, Gadafi tregoi fytyrën e tij të vërtetë," thotë rabini.

Rabini ka hedhur në gjyq qeverinë libiane, zotin Gadafi dhe kompaninë e ndërtimit për shkelje. Ai thotë se punëtorët i kanë dëmtuar pronën dhe i kanë prishur pemët.

Qeveria libiane mohon se ka bërë ndonjë gjë jashtë ligjit. Megjithatë, nuk ka patur komente se ku ka në plan të qendrojë kolonel Gadafi kur të vijë në Shtetet e Bashkuara për të folur për të herë të parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. //ii

XS
SM
MD
LG