Lidhje

Administrata Obama mbron ecurinë e luftës në Afganistan


Zyrtarë të lartë të administratës Amerikane e pranojnë se publiku po kthehet kundër luftës në Afganistan, po ata theksojnë se strategjia e Presidentit Obama për luftën kundër Al-Kaidës dhe Talibanëve sapo ka filluar të zbatohet dhe nuk ka patur kohë të mjaftueshme për nxjerrë në pah rezultatet.

Përballur me faktin se mbështetja e publikut për luftën në Afganistan është duke u zvogëluar, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates tha para gazetarëve në Pentagon, se Presidenti Obama nuk ka patur akoma mundësi të zbatojë stategjinë e re që ai ka planifikuar për luftën në Afganistan. Një nga sondazhet e fundit të botuara nga Gazeta Washington Post tregon se shumica e publikut amerikan mendon se lufta në Afganistan nuk ia vlen të vazhdohet.

Zoti Gates tha se e kupton që është një kohë tepër e shkurtër që stategjia e re të jetë efektive dhe tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk rrezikojnë ta humbasin këtë konflikt.

"Nuk besoj se lufta po rrëshqet nga duart e administratës dhe se është e pamundur për t'u fituar. Vendi qenë në luftë për 8 vjet. Fakti që amerikanët janë të lodhur së pari vajzat dhe djemtë ushtarë, është i kuptueshëm. Une mendoj se është me tepër rendësi të tregojmë se strategjia e presidentit po funksionon."

Gates tha se strategjia e presidentit Obama u shpall në Mars dhe komandanti i ri i forcave amerikane dhe i NATO-s Gjenerali Stenli Mekristal mbërriti në Afganistan në Qershor.

Në fillim të kësaj jave gjenerali Mekristal paraqiti raportin vlerësues të gjendjes në terren. Shumë analistë mendojnë se së shpejti gjenerali do të kërkojë për më tepër forca dhe më tepër para për të vazhduar betejën.

Zoti Obama ka urdhëruar që 21, 000 ushtarë të tjerë të dërgohen në Afganistan, dhe Gates tha se forcat shtesë janë akoma duke mbërritur.

"Pra, ne sapo kemi filluar të pozicionohemi dhe të kemi mjetet e duhura në terren për të vënë në jetë strategjinë ushtarake dhe e gjithe kjo do të marrë pak kohë."

Admirali Majkëll Mullen po ashtu doli para reporterëve së bashku me zotin Gates.

Zoti Mullen, i cili mendon se situata në Afganistan është tepër serioze dhe se po keqësohet, theksoi se forcat ushtarake duhet të rimarrin nën kontroll situatën sa më shpejt.

"Ju e dini sa i shqetësuar vazhdoj të jem unë për situatën atje. Situata është emergjente dhe koha nuk është në anën tonë. Unë besoj se ne e kemi kuptuar këtë gje dhe shumë shpejt do të rifitojmë përparësi."

Shtetet e Bashkuara kanë 62,000 trupa në Afganistan, pothuajse dyfishin e numrit të vjetshëm. Vendet e tjera kanë kontribuar me 39,000 ushtarë edhe pse ata nuk janë të lejuar të angazhohen në zona lufte apo me rrezik të lartë.

2009-ta është viti me numrin më të lartë të vdekjeve të forcave ushtarake në Afganistan, që nga koha kur ka filluar konflikti pak pas sulmit terrorist të 11 shtatorit në vitin 2001 në Amerikë.//kk//


XS
SM
MD
LG