Lidhje

Ndryshon komanda e Paqësorit; çështjet e nxehta për komandantin e ri


Komandanti i forcave amerikane në Azi thotë se mesa duket Koreja e Veriut do të jetë në krye të shqetësimeve të zëvendësit të tij ndërkohë që ndërrohet komanda në muajin tetor. Ai thotë se edhe çështje të tjera përfshirë vazhdimin e fuqizimit ushtarak të Kinës, gjithashtu do të kërkojnë vëmendje. Admirali Timothy Keating, komandant i forcave amerikane në Azi, bisedoi kohët e fundit me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Pentagon, Al Pessin.

Koreja e Veriut kryeson listën e shqetësimeve për admiralin Timothy Keating ndërkohë që përgatitet të lërë Komandën e Paqësorit. Ai thotë se megjithëse komanda e tij përfshin një zonë të madhe, komandanti i ri mesa duket do të përqendrohet në një pjesë të vogël.

"Është e qartë se Koreja e Veriut do të kryesojë listën. Ne po analizojmë me kujdes si përpjekjet e zbulimit ashtu edhe rrugët diplomatike. Jemi të përgatitur të kundërpërgjigjemi nëse ata tragjikisht përfshihen në ndonjë aktivitet ushtarak të rrezikshëm." - tha admirali Keating.

Pheniani ka rraketa me rreze të mesme dhe të shkurta dhe po punon, por ende pa sukses, për rraketat me rreze të gjatë veprimi. Admirali Keating thotë se problem kryesor është mungesa e qartësisë rreth synimeve të udhëheqësve të Koresë së Veriut:

"Ne mund të përllogarisim por jo të parashikojmë. Mendimet i bazojmë në mundësinë e zhvillimit të ngjarjeve."

Por edhe synimet kineze janë të paqarta. Pasiguria nuk është ekstreme, thotë ai, por kapaciteti ushtarak i Kinës është më i madh dhe po shtohet me shpejtësi.

"Do të donim që t'i kuptonim më mirë synimet e tyre ushtarake." - thotë ai

Shtetet e Bashkuara janë një fuqi ushtarake dominuese në Paqësor dhe synojnë të mbeten të tilla. Por Kina po përfshihet më shumë në çështjet e sigurisë rajonale, çfarë ka bërë që disa analistë të shqetësohen rreth konfrontimeve të mundëshme.

"Nuk më shqetëson aq shumë që Kina po sfidon epërsinë tonë. Ne kemi kapacitete domethënëse, kështu që Kina nuk do të sfidojë dominimin tonë në të ardhmen e afërt. Kjo nuk përbën shqetësim. Por shqetësimi është tek mungesa e dialogut dhe komunikimit që mund të çojë në krizë." -tha admirali Keating.

Vitin e kaluar, Kina kufizoi shkëmbimet ushtarake me Amerikën për të protestuar eksportet ushtarake amerikane për Taivanin. Dhe shqetësimet janë shtuar. Admirali Keating thotë se ka patur takime pozitive me oficerë të lartë kinzë gjatë asaj periudhe, por kontaktet nuk ishin të shpeshta sa duhej. Gjatë bisedimeve në korrik, të dy vendet ranë dakord për të rifilluar kontaktet e rregullta ushtarake me vizita nga zyrtarë të lartë të mbrojtjes.

Admirali thotë se shpreson që Kina të mbajë premtimin e saj për një "fuqizim paqësor" dhe beson se më shumë shkëmbime ushtarake do të kontribuojnë për arritjen e kësaj.

"Nëse ata duan të dërgojnë studentë në shkollat tona ushtarake, ne me kënaqësi do t'i shqyrtojmë kërkesat. Ne do të dëshironim që gjërat të ishin reciproke. Po zhvillohet diskutime për mundësinë e shkëmbimit të studentëve në të dy anët."

Përveç Koresë së Veriut dhe Kinës, Keating thotë se shumë çëshjte të tjera janë në krye të listës së shqetësimeve të tij për zëvendësuesin e ri, Admiralin Robert Willard, i cili komandon aktualisht Flotën Amerikane të Paqësorit.

"Do t'i rekomandoja ta vinte theksin tek forca e aleancave të përbashkëta në rajon...nga Australia deri në Zelandën e Re, Filipine, Korenë e Jugut dhe Japoni....forcimin e marrëdhënieve me Indinë dhe mbi të gjitha strukturën e bashkëpunimit që përqafohet nga shumë e shumë vende." - tha admirali Keating.

Largimi i admiralit Keating nga Komanda e Paqësorit do t'i japë fund një karriere të gjatë ushtarake që filloi me misionin e pilotit që fluturonte nga kryqëzorët në vitet 1970.

Admirali Keating thotë se ende nuk e di me se do të merret në pension por shpreson të vazhdojë t'i shërbejë atdheut në një mënyrë apo tjetër.//mm//


XS
SM
MD
LG