Lidhje

SHBA: Dr. Liri Berisha merr Çmim Ndërkombëtar për Gruan


Bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, zonja Liri Berisha, u nderua mbrëmë me “Çmimin Ndërkombëtar të Suksesit për Gruan” nga organizata e grave demokrate të Uashingtonit, Women’s Information Network (WIN). Kjo organizatë social-politike lufton për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe për përmirësimin e kushteve të tyre shoqërore.

Organizata Women’s Information Network në Uashington nderoi gjatë një ceremonie mbrëmë bashkëshorten e kryeministrit të Shqipërisë, zonjën Liri Berisha me çmimin WIN International Achievement Award, për përkushtimin dhe punën e saj në çështjet e grave.

Zonja Liri Berisha tha se ky çmim vlerëson dhe nderon punën dhe kontributin e të gjitha grave shqiptare të cilat kanë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme ndryshimin e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

"Dua të falënderoj këtë organizatë që mori parasysh ndryshimet që janë bërë nga aktiviteti i grave tona, të cilat kanë luftuar fuqimisht për të drejtat e tyre, për barazinë gjinore, për ndryshimin e jetës në vend. Prandaj ky është një vlerësim, siç e konsideroj unë, jo aq shumë për mua se sa për të gjithë gratë e vendit tim.”

Çmimi WIN International Achievement Award iu dorëzua zonjës Liri Berisha nga themeluesja e organizatës Women’s Information Network si dhe kryetare e këshillit drejtues të saj, Karen Mollhauzer. Zonja Mollhauzer, e cila është aktiviste e njohur e të drejtave të grave dhe një nga këshilltaret e larta të presidentit Obama gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2008 këtu në Shtetet e Bashkuara, thotë se puna e zonjës Berisha është burim frymëzimi për vajzat dhe gratë kudo që janë.

“Kur disa nga anëtaret e organizatës WIN mësuan se zonja Berisha do të vinte për vizitë në Uashington, ata kishin dëshirë ta ftonin atë në organizatën tonë, sepse ajo është një burim i vërtetë frymëzimi për të gjitha vajzat dhe gratë e reja.”

Anëtaret e organizatës WIN, thotë zonja Mollhauzer, ishin shumë të entuziazmuara të takonin një person si zonja Berisha e cila shërben si shembull për ta, ashtu sikurse zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Mishel Obama.

Ceremonia e mbrëmshme u mbyll me premtime për të vazhduar partneritetin dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile amerikane dhe shqiptare edhe më tej në mbrojtje të të drejtave të grave dhe për përmirësimin e kushteve të tyre shoqërore. //bsa//

XS
SM
MD
LG