Lidhje

Teleskopi i përmirësuar i NASA-s dërgon imazhe të reja


Nasa thotë se astronomia ka ndryshuar përgjithmonë falë paisjeve moderne në bordin e teleskopit Hubble. Agjencia e hapësirës publikoi dje imazhe të të reja të galaktikave të afërta dhe të largëta. Nasa tha se përmirësimet e mëdha që iu bënë teleskopit në muajin maj ishin një sukses i plotë.

Këto imazhe që duken si krahë fluture janë fotografuar nga teleskopi i përmirësuar Hubble. Krahët janë në fakt re gazi me temperatura që i kaojnë 19 mijë gradë celsius.

Gazrat janë çliruar nga një yll që po vdes i cili dikur ishte pesë herë sa madhësia e diellit.

Këto imazhe u morën me kamerat e reja dhe të riparura të teleskopit Hubble. Teleskopi u përmirësua në muajin maj nga astronautët gjatë një misioni që kushtoi një miliard dollarë.

Administratori i Nasës Çarls Bolden është astronauti i cili pilotoi anijen e hapësirës e cila dërgoi në orbitë teleskopin Hubble 19 vjet më parë.

“Sot pas 20 vjetësh, pikpamja jonë për Gjithësinë dhe vendi që ne zemë aty nuk do të jenë më kurrë si më parë.”


Këto fotografi të galaktikave dhe nebulozave janë më të qarta se sa ato të marra para përmirësimeve që iu bënë teleskopit.

Ky është teleskopi i natyrës, thotë shkencëtari Dejv Lekrone.

“Teleskopi shfrytëzon fuqinë e Hubble-it duke e përmirësuar atë jashtëzakonisht shumë, aq sa ne mund të studiojmë strukturat e hollësishme dhe galaktikat tepër të largëta.”

Lekrone thotë se pas riparimeve, teleskopi nuk ka patur probleme teknike.

Imazhet e para pas riparimeve në teleskop erdhën në korrik, me fotografimin e Jupiterit kur një asteroid apo kometë goditi planetin.

Shkencëtarja dhe studiuesja Heidi Hammel i quajti përmirësimet një hap madhor në kërkimet e hapësirës.

“Me përmirësimet në Hubble tani mund të shohim më qartë dhe të kuptojmë më thellë proceset që krijojnë dhe nxitin ndryshimet brenda universit tonë.”


Nasa thotë se instrumentet e reja kanë përshpejtuar shumë punën krahasuar me paisjet e mëparshme të teleskopit Hubble. //ii

XS
SM
MD
LG