Lidhje

Lirohet irakiani që gjuajti me këpucë ish presidentin Bush në Bagdat


Nënpresidenti amerikan Xho Biden ka shkuar në Irak, ku do të bisedojë me udhëheqësit kryesorë të vendit dhe do të vizitojë trupat amerikane në Bagdad.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se nënpresidenti do të shprehë “përkushtimin e fuqishëm amerikan për të ardhmen dhe unitetin kombëtar në Irak”.

Zoti Biden mbikqyr politikën e administratës Obama në Irak, ndërsa po merren hapa për tërheqjen e trupave amerikane prej andej deri në gusht të vitit 2010.

Ndërkohë, një gazetar irakian i cili gjuajti me këpucë ish presidentin amerikan Xhorxh W. Bush, u lirua nga burgu. Ai tha se gjatë 9 muajve që qëndroi në burg e kishin torturuar.

Autoritetet irakiane e liruan sot Muntazer al-Zaidin nga një burg i Bagdatit pasi e kreu dënimin prej 9 muajsh. Gazetari Al Zaidi mbajti një konferencë shtypi në stacionin televiziv al-Baghdadia, ku ai punonte.

Ai tregoi se gjatë kohës që qëndroi në burg e kishin torturuar me rrahje dhe me goditje elektrike. Al Zaidi dukej në gjendje të mirë shëndetësore, vetëm se i mungonte një dhëmb. Ai tha se ka frikë se mos e vrasin dhe se mos e ndjekin agjencitë amerikane të zbulimit.

Al-Zaidi gjuajti me këpucë ish presidentin Bush dhe e quajti atë “qen” dhjetorin e kaluar në Bagdat gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki. Zoti Bush u përkul duke shmangur goditjen.

XS
SM
MD
LG