Lidhje

Jukio Hatojama zgjidhet kryeministri i ri i Japonisë


Parlamenti i Japonisë zgjodhi ish-udhëheqësin e opozitës, Jukio Hatojama si kryeministër të vendit. Muajin e kaluar, Partia Demokratike e zotit Hatojama siguroi një fitore të thellë, 308 nga 480 vendet në Dhomën e Ulët të Parlamentit, duke i dhënë fund më tepër se 50 vjet sundimi të Partisë konservatore Liberal Demokrate.

Sot, Dhoma e Ulët e Parlamentit japonez mbajti një sesion të posaçëm për zgjedhjen zyrtarisht të zotit Hatojama, i cili është zotuar t’i pakësojë shpenzimet e panevojshme qeveritare dhe ta fuqizojë ekonominë e dytë më të madhe të botës. Ai filloi pa humbur kohë të emërojë anëtarët e Kabinetit, duke bërë të njohur se ligjvënësi veteran Hiroshi Fujii do të jetë në postin e Ministrit të Financave dhe anëtari i partisë së tij, Kacuja Okada, do të jetë Ministër i Jashtëm.

Ekonomia japoneze vazhdon të jetë e goditur rëndë nga kriza e ekonomisë globale dhe papunësia në vend ka arritur nivelin rekord 5,7 për qind. Zoti Hatojama do të vihet po ashtu shpejt në provë në frontin diplomatik, kur të marrë pjesë në takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme dhe në atë të Grupit të 20-ëshes për ekonominë, që do të mbahet në Pitsburg.

Kryeministri i ri japonez tha se do të ndërtojë marrëdhënie bazuar tek besueshmëria reciproke me Presidentin amerikan Barak Obama. Duke folur në konferencën e tij të parë për shtyp, Jukio Hatojama tha se kërkon të ketë një marrëdhënie të tillë me Washingtonin, në të cilën Japonia të mund të jetë më aktive dhe t’i shkëmbejë më hapur opinionet. Zoti Hatojama tha po ashtu se ai nuk ka ndonjë synim t’i tërheqë planet për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Japoni, apo të ndryshojë pozicionet bazë të Partisë së tij Demokratike.//lk

XS
SM
MD
LG