Lidhje

Kongresi reagon ndaj politikës së re për sistemet antiraketë


Vendimi i presidentit Obama për të rishikuar planin për dislokimin e sistemit mbrojtës kundër raketave në Republikën Çeke dhe në Poloni është përkrahur dhe kritikuar nga anëtarët e kongresit.

Në konferencën e saj javore me gazetarë në kongres, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nenci Pelosi mbështeti vendimin e presidentit për ndryshimin e qëndrimit për sa i përket mbrojtjen kundër kërcënimeve nga raketat balistike të Iranit.

Duke thënë se ishte informuar për këtë ndryshim nga këshilltari për Sigurinë Kombëtare, gjenerali Xhejms Xhons, zonja Pelosi tha se ky veprim përbën një hap të madh përpara:

“Fakti që është ri-vlerësuar kërcënimi, që është marrë parasysh kapaciteti që ka teknologjia e lartë, rëndësia që kjo ka në marrëdhëniet tona me NATO-n, dhe në marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë, është shumë e rëndësishme.”

Reagimet nga pakica republikane ishin përgjithësisht kritike. Përfaqësuesi republikan nga Illinoi Mark Kërk e quajti vendimin e presidentit një goditje për Polonin dhe inkurajim për Iranin:

“Irani, një shtet që sponzorizon terrorizmin, tani prodhon raketën me rreze më të gjatë veprimi në botën terroriste. Vendimi i administratës është veçanërisht ironik sepse Polonia sapo ka bërë publike planet e saj për të dërguar më shumë trupa në Afganistan për të shërbyer krah për krah amerikanëve. Amerika po e zhgënjen Poloninë, duke u dërguar një mesazh dobësie aleatëve tanë polakë dhe njerëzve që po ndërtojnë arsenalin e ri raketor të Iranit.”

Reagimet nga republikanë të tjerë ishin po aq kritike. Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, tha se vendimi i presidentit Obama fuqizon Rusinë dhe Iranin në kurriz të aleatëve të Amerikës në Evropë.

Megjithatë, kryetari i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për forcat e armatosura, demokrati Ajk Skelton, tha se duket që strategjia e re për mbrojtjen kundër raketave në Evropë është një qëndrim gjithëpërfshirës, që do t’i vihet përballë kërcënimeve raketore më imediate të Iranit dhe do të mbrojë aleatët dhe trupat tona në rajon.

Kolegu i senatorit Skelton, Karl Levin, tha se sekretari i mbrojtjes Robert Gejts e ka siguruar kongresin se Polonia dhe Republika Çeke kanë reaguar pozitivisht ndaj strategjisë së re.

Demokratët dhe republikanët në kongres thonë se ata dëshirojnë të informohen më shumë nga administrata e presidentit Obama mbi ndryshimet në politikat e mbrojtjes kundër raketave në Evropë. (ze)

XS
SM
MD
LG