Lidhje

21 shtatori Dita e Alzaimerit , sëmundja ende pa nje kurë


Sëmundja e alzaimerit prek miliona njerëz. Megjithëse më shumë se 100 vjet nga zbulimi i kësaj sëmundjeje, që shfaqet me humbjen e kujtesës, shkencëtarët ende vazhdojnë të punojnë për gjetjen e një kure.

Më 21 shtator është dita botërore e sëmundjes së Alzaimerit. Në këtë ditë, në mbarë botën njerëzit organizojnë takime e marshime për mbledhje fondesh. Për shembull, Singapori, po planifikon veprimtari publike në tri gjuhë; anglisht, malai dhe mandarin. Barbadosi do të shënojë ditën e Alzaimerit me shërbime fetare, një panair shëndeti dhe koncerte.

Përllogaritet se 30 milionë njerëz në botë vuajnë nga Alzaimeri. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 5 milionë vetë janë prekur nga kjo sëmundje e cila gradualisht shkatërron trurin.

Alzaimeri prek kujtesën dhe personalitetin, dy cilësi që e bëjnë njeriun të quhet individ. Kurë për Alzaimerin nuk ekziston dhe viktimat dalë nga dalë humbasin aftësinë për t’u përballur me jetën e përditëshme.

Në fillim, ata harrojnë gjëra të thjeshta si për shembull emrin e një personi ose ku e kanë vendosur një send. Ndërsa koha kalon, ata harrojnë gjithnjë e më shumë; emrat e burrave, grave ose fëmijëve të vet. Pastaj harrojnë se cilët janë. Më në fund, ata nuk mbajnë mend asgjë; sikur truri i tyre të ketë vdekur përpara pjesëve të tjera të trupit. Viktimat e Alzaimerit vdesin nga këto pasoja ose gjendja që lidhet me to. Por vdekja mund të mos vijë për shumë kohë.
Paaftësia më e zakonëshme që krijohet nga sëmundja e Alzaimerit është njohur si Dementia. Dementia është humbje e aftësisë për të menduar dhe si rrjedhim e pengon njeriun në veprimtaritë e përditëshme. Në vetëvete, dementja nuk është sëmundje por grup shenjash i disa sëmundjeve.

Disa lloj dementiash mund të kurohen. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ato janë pasojë e ilaçeve, infeksioneve, problemeve të syve a të veshëve, lëndimeve në kokë, ose sëmundjeve të zemrës a mushkërive. Lloje të tjera dementiash mund të kurohen duke ndryshuar nivelet e hormoneve ose vitaminave në organizëm. Megjithatë, qelizat e trurit të viktimave të Alzaimerit vdesin dhe nuk mund të zevëndësohen.

Viktimat mund të shfaqin shenja zemërimi ose dhune ndërsa aftësia e tyre për të menduar dhe kujtuar pakësohet. Ata ndonjëherë bërtasin e lëvizin pa ndonjë qëllim. Shtypi shpesh njofton se persona të moshuar janë gjetur duke ecur në vende larg shtëpive të tyre. Ata nuk e dinë se ku janë ose nga vijnë. Këta persona shpesh vuajnë nga sëmundja e Alzaimerit.

Alzaimeri zhvillohet kryesisht ndryshe tek çdo pacient. Megjithatë, disa shenja të para të kësaj sëmundjeje janë të njëjta. Disa viktima mund të mos i vënë re ndyshimet në veten e tyre, ndërsa të tjerët i shohin këto ndryshime dhe përpiqen t’i fshehin.

Ndoshta shenja e parë më e zakonëshme është humbja e kujtesës së afërt. Viktima nuk është në gjendje të kujtojë diçka që ndodhi dje. Gjithashtu viktimat e Alzaimerit e kanë gjithnjë e më të vështirë të mësojnë ose përftojnë informata të reja. Dalëngadalë të menduarit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Viktima nuk është në gjendje të kuptojë shaka, të gatuajë ose të kryejë një punë të thjeshtë.

Një tjetër shenjë e kësaj sëmundjeje është vështirësia për të zgjidhur probleme të thjeshta. Pacientët e Alzaimerit mund të mos kuptojnë nëse gjella në zjarr po digjet. Tjetër shenjë është mosgjetja e fjalëve për të shprehur mendimet ose për të kuptuar se për çfarë po diskutohet.

Përfundimisht njerëzit me Alzaimer ndryshojnë. Personat e qetë bëhen të zhurmshëm dhe agresivë. Ata zemërohen shpejtë dhe humbasin aftësinë për t’u besuar të tjerëve.
Alzaimeri zakonisht prek persona mbi moshën 60 vjeç. Por janë zbuluar edhe raste kur të prekurit nga Alzaimeri janë më të rinj sesa 50 vjeç. Alzaimeri prek persona të të gjitha racave, megjithëse gratë preken më shumë sesa burrat. Kjo ndoshta sepse gratë jetojnë më gjatë.

Për diagnostikimin e Alzaimerit nuk ka një analizë të thjeshtë. Ndonjëherë mjekur provon kujtesën ose gjykimin e pacientit. Disa shkencëtarë thonë se dobësimi i aftësisë së të nuhaturit mund të jetë shenja më e qartë e zhvillimit të Alzaimerit. Mjekët që dyshojnë nëse një pacient ka Alzaimer duhet ta vizitojnë atë për shumë probleme të tjera fizike dhe sëmundja e Alzaimerit merret në konsideratë nëse analizat tregojnë se pacienti nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër.

Pacientët me Alzaimer nuk mund të shërohen nga kjo sëmundje. Por shumë prej tyre mund të ndihmohen me ilaçe. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse sëmundja zbulohet herët. Agjencia amerikane e ushqimeve dhe barnave ka miratuar disa ilaçe për trajtimin e simptomave të Alzaimerit. Këto barna janë dy llojesh, që jepen vetëm me rekomandimin e mjekut. Shumë prej barnave kundër simptomave të Alzaimerit quhen Cholinesterase. Ato mbrojnë një kimikat që dërgon sinjale të nevojëshme për veprimtarinë e trurit. Ato synojnë të trajtojnë kujtesën, të menduarit, të shprehurit, gjykimin dhe veprimtari të tjera të trurit. Cholinesteraset përdoren në raste kur sëmundja është në shkallë jo shumë të zhvilluar.

Ilaçi i dytë përfaqësohet nga lloji Memantine që ndihmon veprimtarinë e një kimikati përgjegjës për përpunimin e informacionit, grumbullimin e tij dhe kujtesën. Memantine përdorët për trajtimin e pacinetëve me shkallë të zhvilluar Alzaimeri.

Kanë kaluar rreth 100 vjet që nga koha kur mjeku gjerman Alois Alzheimer (Alzaimer), shpalli rezultatet mbi dementian në një paciente, trurin i të cilës ai e studioi pas vdekjes së saj. Në trurin e pacientes, mjeku Alzaimer gjeti qeliza nervore qe ishin përzier me struktura ngjitëse. Studime të mëvonëshme treguan se këto fije nervore përbëheshin nga një proteinë që ka aftësi ngjitëse. Këto struktura ishin pllakëza amyloid. Një teori fajëson këtë amyloid për sëmundjen, por shkencëtarë të tjerë thonë se amyloid është pasojë dhe jo shkaktar i sëmundjes.


Ndërkohë, puna kërkimore në laboratore vazhdon. Në shtator, dy grupe shkencëtarësh evropianë, që kishin punuar veças, thanë se kanë identifikuar shenja të reja gjenetike, përveç 4 gjeneve që njihen, të cilat mendohet se shkaktojnë Alzaimerin. Rezultatet e studimeve të tyre u botuan në revistën Nature Genetics dhe ofrojnë një kuptim më të mirë të procesit të sëmundjes, por jo një trajtim së shpejti të saj.

XS
SM
MD
LG