Lidhje

Presidenti Obama flet për ekonominë, reformën e kujdesit shëndetësor


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se të gjitha shenjat tregojnë se ekonomia po fillon të rritet përsëri. Ai tha se tregjet financiare po funksionojnë përsëri dhe sfida madhore do të jetë të rikuperohen të gjitha vendet e punës që janë humbur. Zoti Obama tha se situata e punësimit ndoshta nuk do të përmirësohet dhe ndoshta do të rëndohet gjatë dy muajve të ardhshëm. Ekonomia ishte vetëm njëra nga çështjet për të cilën zoti Obama foli gjatë një numri intervistash që u transmetuan të dielën në pesë rrjete televizive. Në intervista ai paraqiti argumentat e tij për reformë dhe u përpoq të zbuste tonin e debatit.

Ishte përpjekja e fundit e Presidentit Obama për të bindur publikun mosbesues të mbështesë reformën e kujdesit shëndetësor. Në të pesta programet, mesazhi ishte i njëjtë. Ja ç'tha ai në emisionin "Face the Nation" në televizionin CBS.

"Unë po përpiqem të paraqes faktet, të cilat tregojnë që nëse nuk veprojmë, shumë amerikane do të jetë në gjendje edhe më të keqe dhe me kalimin e kohës, buxheti federal nuk do të mund ta përballojë atë".

Në emisionin "This Week" të televizionit ABC, ai e përshkroi planin si të moderuar dhe aspak radikal. Presideni i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara nuk i dha rëndësi nocionit se shenjat e zemërimit kundër reformës mund të jenë të motivuara nga raca.

"Sa herë që një president propozon ndryshime madhore që duket se kanë të bëjnë me përmasat e qeverisë, shkaktohet një pështjellim mes publikut".

Ai tha se media mund të ketë një pjesë të përgjegjësisë për tonin e debatit.

"Disa herë unë mendoj, sinqerisht se media inkurajon disa nga ekstremet në sjellje sepse e vërteta është se mënyra më e lehtë për të dalë në televizion sot, është që të jesh i pasjellshëm".

Duke folur në emisionin "Meet the Press" të televizionit NBC, kreu i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Xhon Bejnër i Ohajos tha se zemërimi mund të jetë manifestimi i një frike të sinqertë për marrjen nën kontroll nga ana e qeverisë të sistemit shëndetësor.

"Unë nuk mendoj që toni i debatit ka dalë jashtë kontrollit. Ka qenë një debat i nxehtë sepse po flasim për një çështje që prek çdo amerikan".

Kujdesi shëndetësor ishte pa dyshim çështja mbizotëruese në programet e djeshme. Por presidenti e përdori këtë shans gjithashtu për të bërë thirrje për durim në Afganistan dhe për të komentuar mbi vendimin për t'u tërhequr nga planet e administratës së Presidentit Bush për sistemin e mbrojtjes nga raketat që do të vendosej në Poloni dhe Republikën Çeke.

Zoti Obama tha në CBS se ai do të donte një sistem që është më elastik dhe që do ta përballonte më mirë kërcënimin që paraqisnin raketat iraniane me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi. Ai e mohoi me forcë se vendimi i tij ishte një përpjekje për të qetësuar Rusinë, që e kishte kundërshtuar me forcë propozimin e ish-presidentit Bush.

"Rusët nuk marrin vendimet për qëndrimet tona në mbrojtje. Ne kemi marrrë një vendim duke pasur parasysh se çfarë do të ishte më mirë për të mbrojtur popullin amerikan, si edhe trupat tona në Evropë dhe aleatët tanë".

Në emisionin "Meet the Press", senatori republikan Lindsi Graham i Karolinës së Jugut paraqiti një këndvështrim tjetër.

"Ky veprim do të duket si një kapitullim para rusëve, të cilët nuk kishin argumenta reale për të kundërshtuar atë që po bënim ne".

Presidenti Obama do ta diskutojë çështjen më tej këtë javë me Presidentin rus Dmitri Medvedev kur ta takojë atë në kuadër të takimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork. //kk//

XS
SM
MD
LG