Lidhje

Maqedoni: Akademia e Shkencave premton korrigjimin e enciklopedisë


Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë ka paralajmëruar se do të korrigjojë pjesët e enciklopedisë për shqiptarët ku këta të fundit e ndiejnë veten të fyer. Bëhet fjalë për 2-3 faqe të këtij botimi, i cili megjithatë nuk do të tërhiqet nga qarkullimi ashtu siç kanë kërkuar partitë shqiptare dhe intelektualë shqiptarë në Maqedoni. Vendimi pritet të bëhet zyrtar brenda pak ditësh kur anëtarët e Akademisë maqedonase të pajtohen mbi ndryshimet e enciklopedisë.

Akademikët shqiptarë Alajdin Abazi, Luan Starova dhe Ali Aliu, anëtarët e vetëm shqiptarë të Akademisë maqedonase kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Akademisë për të diskutuar mbi pjesët e këtij botimi ku përçmohen shqiptarët. Ata kanë kërkuar ndalimin e qarkullimit të tij.

Edhe ambasada britanike në Shkup ka kërkuar korrigjimin e enciklopedisë, meqë në të thuhet se njësitë speciale britanike dhe amerikane i kanë stërvitur ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, shkrime këto që janë hedhur poshtë si të pavërteta nga ambasadat amerikane dhe britanike në Shkup. //bsa//

XS
SM
MD
LG