Lidhje

OKB: Presidenti Obama bën thirrje për një epokë të re angazhimi me botën


Në fjalimin e tij të parë politik përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë gati të fillojnë një kapitull të ri bashkëpunimi ndërkombëtar pas shumë vite marrëdhëniesh të vështira me OKB-në. Zoti Obama premtoi përpjekje të palëkundura nga Shtetet e Bashkuara për paqe në Lindjen e Mesme si dhe diplomaci me Korenë e Veriut dhe Iranin për zgjidhjen e shqetësimeve rreth programeve të tyre bërthamore.

Presidenti Obama tha se administrata e tij, gjatë nëntë muajve të saj të parë është përballur me shumë nga çështjet që krijuan marrëdhënie të tensionuara mes Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar gjatë administratës Bush.Por ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i zgjidhin të vetme problemet e botës dhe se ka ardhur koha që të gjitha vendet anëtare të OKB-së të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për t’ju përgjigjur sfidave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe mospërhapjen e armëve.

Në fjalimin politik prej rreth 40 minutash, presidenti përmendi mes të tjerash udhëzimet e tij për t’i dhënë fund çdo turturimi të të burgosurve dhe për të mbyllur qendrën e paraburgimit në Gjirin Guantanamo si dhe emërimin e të dërguarit të lartë George Mitchell për t’u marrë me çështjen izraelito-palestineze.

Ai tha se nismat e administratës qysh tani kanë rezultuar në një farë përparimi. Por, tha ai, këto detyra i tejkalojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara të vetme, dhe se nevojiten përpjekje të përbashkëta duke përfshirë përpjekje edhe nga ata që në të kaluarën e kanë kritikuar politikën amerikane.

"Por nuk duhet të ketë asnjë dyshim se kjo nuk mund të jetë punë vetëm e Amerikës. Ata që më parë e kritikonin Amerikën se po vepronte e vetme në botë nuk mund të rrinë tani duarkryq dhe të presin që Amerika të zgjidhë e vetme problemet be botës. Ne kemi kërkuar, me fjalë e me vepra, një epokë të re të angazhimit me botën. Dhe tani është koha që të gjithë ne të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për një përgjigje globale ndaj sfidave globale."

Dje, zoti Obama u bë ndërmjetësi i një takimi të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve izraelitë dhe palestinezë, i pari takim i tillë mes tyre që nga lufta në Gazë vitin e kaluar. Në fjalimin që mbajti sot, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit në Lindjen e Mesme.Kjo, tha Presidenti Obama, kërkon që t’i jepet fund nxitjeve antiizraelite nga ana e palestinezëve. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “nuk e pranojnë” legjitimitetin e vazhdimit të vendbanimeve izraelite.

Presidenti Obama tha se vende të tjera anëtare të komunitetit botëror i kanë borxh paqes në Lindjen e Mesme më tepër se sa thjesht mbështetjen me fjalë.

“Ne nuk i bëjmë ndonjë favor Izraelit kur nuk e shoqërojmë angazhimin për sigurinë e tij me këmbënguljen që Izraeli të respektojnë legjitimitetin e pretendimeve dhe të të drejtave të palestinezëve. Vendet e këtij forumi nuk i bëjnë ndonjë favor palestinezëve kur ata zgjedhin rrugën e sulmeve kundër Izraelit dhe jo njohjen e të drejtës dhe legjitimitetit të tij për të ekzistuar në paqe dhe siguri”, tha Presidenti Obama.

Zoti Obama, i cili sot kryeson një sesion të veçantë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çarmatimin bërthamor, tha se veprimtaria e Iranit dhe Koresë së Veriut në këtë fushë, kërcënon ta çojë botën drejt rrugës së rrezikëshme të përhapjes së pakontrolluar të armëve të tilla.

Ai tha se administrata amerikane është e angazhuar për zgjidhjen diplomatike të shqetësimeve që kanë ngjallur ambicjet bërthamore të këtyre dy vendeve, por kjo, shtoi ai, është gjithashtu një fushë tjetër në të cilën është e nevojshme mbështetja e komunitetit botëror.

“Nëse ata vënë në plan të parë zotërimin e armëve bërthamore dhe jo stabilitetin rajonal apo sigurinë dhe prosperitetin e popujve të tyre, nëse ata injorojnë rreziqet që përbën përshkallëzimi i garës së armëve bërthamore si në Azinë Lindore ashtu edhe në Lindjen e Mesme, ata duhet të mbahen përgjegjës për këtë. Bota duhet të qendrojë e bashkuar dhe t’u tregojë atyre se ligji ndërkombëtar nuk është një premtim bosh”.

Presidenti Obama e mbajti fjalimin e tij para takimit sot pasdite të ministrave të jashtëm të pesë vendeve anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë që janë përpjekur ta riangazhojnë Iranin në negociatat për programin e tij bërthamor.

Më 1 tetor, diplomatët e këtij grupi do të mbajnë një takim tejet të rëndësishëm me negociatorin e Iranit për të përcaktuar nëse Irani është i gatshëm të diskutojë mbi heqjen dorë nga programi për pasurimin e uraniumit, që besohet të jetë i lidhur me prodhimin e armëve bërthamore. //BSA//

XS
SM
MD
LG