Udhëheqësit e Grupit të 20-ëshes, ku përfshihen vendet më të pasura dhe ekonomitë e mëdha në zhvillim, takohen sot dhe nesër për të diskutuar mbi parandalimin e një tjetër krize të ekonomisë botërore dhe për rifillimin e rritjes ekonomike. Presidenti amerikan Barak Obama e organizon takimin, që këtë herë mbahet në Shtetet e Bashkuara, në Pitsburg të Pensilvanisë.
Takimet e mëparshme për krizën globale financiare janë mbajtur në Londër, në prill të këtij viti dhe në Washington, në vitin 2008. Pjesëmarrësit pritet të ritheksojnë synimin për hapjen e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, riparimin e sistemeve të huadhënies nga bankat, reformën e sistemeve financiare ndërkombëtare dhe parandalimin e recesioneve në të ardhmen.
Ata pritet
po ashtu të punojnë për mënyrat mbi nxitjen e tregtisë botërore dhe
ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe
sigurimin e mbështetjes financiare për vendet në zhvillim, që të marrin
masa për ndryshimet klimatike. Në Grupin e 20-ëshes përfshihen Shtetet
e Bashkuara, Brazili, Kina, Indonezia, Meksika, Franca dhe Gjermania.//lk