Lidhje

G-20 mbyll takimin me fuqi të reja dhe marrëveshje për parandalimin e krizave


Grupi i 20-ëshes e mbylli dje takimin e nivelit të lartë me marrëveshje që synojnë parandalimin e krizave të ardhshme, si edhe duke u dhënë vendeve në zhvillim më shumë fuqi për çështje ekonomike ndërkombëtare. Presidenti amerikan Barak Obama thotë se udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha ndërmorën hapa që "e rikthyen ekonominë globale nga buza e greminës". Zoti Obama i bëri komentet para gazetarëve në përfundim të takimit dyditor të nivelit të lartë të Grupit të 20-ëshes në Pitsburg të Pensilvanisë.

Ai tha se udhëheqësit ranë dakord që t'i lënë në fuqi programet e stimujve derisa rimëkëmbja ekonomike të jetë e qëndrueshme. Takimi i nivelit të lartë i grupit të 20-ëshes do t'i japë ekonomive në zhvillim një rol më të gjerë në debatin dhe vendimet për çështjet ekonomike në të ardhmen.

Presidenti Barak Obama tha se udhëheqësit e Grupit të 20-ëshes, ranë dakord për hapa konkrete për parandalimin e një krize tjetër ekonomike si ajo aktualja që ka bërë miliona vetë të papunë në gjithë botën dhe ka shkaktuar triliona dollarë humbje.

"Që të mos lejojmë kurrë më që skemat e pak vetëve të papërgjegjshëm ta vënë në rrezik sistemin tonë financiar dhe mirëqenien e njerëzve tanë".

Ai tha se marrëveshja forcon rregullat e sistemit financiar dhe u bën thirrje bankave të mbajnë rezerva më të mëdha për të mbuluar humbjet nga huatë e këqia dhe investimet e dështuara. Ai tha se do të ketë rregulla të reja për mënyrën e pagesave të bankierëve.

"Do ta kushtëzojmë pagën e ekzekutivëve me arritjet afatgjata, në mënyrë që të shpërblehen vendimet e pjekura dhe jo pangopësia afatshkurtër".

Zoti Obama tha se ekonomia është përmirësuar, por se ka ende punë para se rimëkëmbja të jetë e plotë.

Shumë anëtarë të 20-ëshes janë përpjekur që të forcojnë ekonomitë e tyre duke ulur përqindjet e interesave dhe duke rritur shpenzimet në projektet publike. Udhëheqësit thanë se rimëkëmbja ekonomike është ende aq e brishtë saqë udhëheqësit do të vazhdojnë përpjekjet e stimujve për një farë kohe.

Udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës, përfshirë kryeministrin britanik Gordon Braun, ranë dakord ta përdorin grupin e 20-ëshes si forum për të debatuar dhe vendosur për çështje ekonomike.

"Grupi i 20-ëshes do të konsiderohet tani si organizata kryesore ekonomike që merret me çështjet e menaxhimit ekonomik në gjithë botën".

Ndryshimi e zhvendos diskutimin nga Grupi i Tetëshes, i përbërë kryesisht nga vendet perëndimore.

Në këtë mënyrë pranohet fakti që vende në zhvillim si Kina dhe India përbëjnë një pjesë të konsiderueshme dhe në rritje të prodhimit ekonomik të botës.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin Carnegie Mellon Lester Lejv thotë se kriza ekonomike e bëri urgjente nevojën për këtë ndryshim.

"Disa popuj dhe ekonomi vihen në rrezik nga vende që jo domosdoshmërisht mendojnë për ta ose për të mirën e tyre, kështuqë ata duhet të kenë më shumë të drejtën e fjalës për ato që ndodhin".

Takimi dyditor në Pitsburg është i treti i udhëheqësve të 20-ëshes në më pak se një vit, ndërsa vendet përpiqen të lehtësojnë recesionin.

Përpjekjet e tyre nuk u bënë ndonjë përshtypjke mijëra protestuesve që u ankuan se sistemi ekonomik global është i padrejtë dhe se vendet e 20-ëshes bëjnë shumë pak për të ndihmuar të varfrit. Policia bëri disa arrestime dhe përdori gaz lotsjellës në disa prej demonstratave. //kk//

XS
SM
MD
LG