Lidhje

Shqipëri: Rezultate paraprake shpallin Edi Ramën kryetar të PS


Në Shqipëri Partia Socialiste njoftoi sot se sipas rezultateve paraprake të votimeve të zhvilluara dje për kryetarin e ri të partisë, zoti Edi Rama kryeson ndjeshëm me 93 përqind kundrejt 6.7 përqind të kandidatit tjetër në garë Maqo Lakrori.

Në këtë mënyrë ashtu sic edhe pritej zoti Rama praktikisht rikonfirmohet në postin e kryetarit të partisë socialiste edhe për katër vite të tjera. Rezultatet e shpërndara sot pasdite i referohen afër 80 përqind të votave të numëruara.

Zoti Rama ka marrë mbi 51 mijë vota ndërsa kandidati Maqo Lakrori 3.700. Në votimet e djeshme kanë marrë pjesë gati 65 përqind e anëtarësisë së Partisë Socialiste. Një përqindje përgjithësisht e kënaqshme po të kihet parasysh fakti se bëhej fjalë për një garë me një rezultat të pritshëm.

Rezultati zyrtar mund të jepet sot në mbrëmje ose nesër. Me rizgjedhjen e zotit Rama rikonfirmohet edhe linja e fortë e nxitur prej tij, sipas së cilës pjesmarrja e partisë socialiste në parlament kushtëzohet me një sërë kërkesash që kanë të bëjnë sipas drejtuesve socialist me zbardhjen e së vërtetës mbi zgjedhjet e 28 qershorit. //mm//

XS
SM
MD
LG