Lidhje

Kryeministri Berisha: Opozita të kthehet në parlament


Zëri i Amerikës –Çfarë kontributi mund të ofrojë një vend i vogël si Shqipëria në këtë debatin e Përgjithshëm të OKB-së?

Sali Berisha – Së pari, shembullin e saj, e përzgjedhur si vend pilot në kuadrin e reformës së organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por dhe në kuadrin e "Millenium Goals", mendoj se Shqipëria ka qenë e suksesshme në luftën kundër varfërisë.

Po të kemi parasysh se në tre vjet, 400 000 qytetarë kanë kaluar pragun e varfërisë për të ardhurat për frymë, e proporcionuar kjo me numrin e përgjithshëm të popullsisë, është një arritje e konsiderueshme.

Shqipëria merr pjesë në operacionet e organizatës së Kombeve të Bashkuara në Çad, dhe është e vendosur që të shtojë praninë e saj në operacionet paqeruajtëse në kuadrin e kësaj organizate.

Zëri i Amerikës Z.Berisha, sa e dëmton ekonominë e Shqipërisë zhvfleftësimi i monedhës vendase, lekut, dhe a ishte një keqinterpretim i deklaratave tuaja që solli reagimin e tregut?

Sali Berisha – Realiteti është ky, gjatë gjithë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7% deri në 10%, dobësim i cili nuk është problematik. Përderisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve, nuk përbën një problem serioz.

Natyrisht ka pasoja pozitive dhe negative. Pasoja pozitive është favorizimi i eksportit, pasoja negative, është shtrenjtimi i kredive. Por sidoqoftë mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti krejtësisht të pranueshëm.

Banka e Shqipërisë, ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi, dhe në limitete e kësaj lëvizjeje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata..? Unë nuk përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak të menjëhershëm.

Zëri i Amerikës- Ndoshta ishte zgjedhja e papërshtatshme e fjalëve nga ana juaj?

Sali Berisha – Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, ishte ekoja që i dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë të drejtën e tyre...

Zëri i Amerikës Z. Kryeministër, duket se në Shqipëri ende nuk është dalë nga situata paszgjedhore, pasi në parlament nuk ndodhet opozita. A është problem për ju që të qeverisni, nëse opozita do të vazhdojë të mungojë?

Sali Berisha - Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë për herë të parë se zgjedhjet në Shqipëri, plotësuan angazhimet kryesore të organizatës së OSBE – ODHIR- it dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv. Zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të patur, dhe janë të pakta vendet që i kanë zgjedhjet të përsosura.

Arbitri ndërkombëtar ka bërë një seri sugjerimesh. Opozita është e ftuar nga unë të ulet, dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Në rast se opozita përcakton kushte të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar...; zgjedhjet janë sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare, ne nuk mund t'i ngatërrojmë gjërat.

Ndaj dhe unë e mirëpres opozitën, të vijë në parlament, e garantoj se sikundër ka përcaktuar thuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi tek komisionet, sërish i njoh asaj të drejtën, dhe përsa kohë të jem në pushtet, do t'i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi.

Zëri i Amerikës - Pra ky është kompromisi që ju ofroni? Sepse opozita ka një numër kërkesash...

Sali Berisha - Duhet të dalë më thelbësorja... Nuk ka të dhëna për parregullsi në numërim dhe manipulim të rezultateve. Opozita ka vërejtje për numërimin, pozicionimin etj. Le të përcaktojmë rregullat.

Por duhet të them një gjë. Ky ka qenë numërim unik në botë. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve botërore që çdo votë filmohet, fotografohet, numërohet, transmetohet on line në Komisionin Qëndror të Zgjedheve.

A ka pasur probleme në vendosjen e njerëzve ose të teknologjisë..? Le të përcaktojmë rregullat se si t'a përmirësojmë.

Zëri i AmerikësSa herë që vini në SHBA, ju u bëni thirrje shqiptaro-amerikanëve që të investojnë në Shqipëri. Por sa janë dëgjuar thirrjet tuaja, a ka shembuj suksesi, apo ata ngurrojnë për shkak të imazhit të Shqipërisë, si një vend që është ende në tranzicion?

Sali Berisha - Mendoj se në klimën e biznesin janë bërë dhe po bëhen përparime shumë të mëdha. Regjistrimi i biznesit sot kryhet për një gjysëm ore, në dallim nga pagesa prej 4 mijë eurosh apo ditë të tëra pëmes gjykatave që bëhej kohë më parë. Kemi krijuar "One Stop Shop" për liçensat dhe lejet. Kemi hequr dy të tretat e lejeve dhe liçensave, kemi ndërrmarë një seri masash të tjera dhe po vazhdojmë.

Një problem mundues që ka qenë për investimet, çështja e pronësisë, po i jepet një përgjigje shumë e mirë përmes parqeve industriale. Qeveria po punon me dy nga ekspertët më të njohur në Europë për investimet e huaja.

Do të bëhet një reformë e thellë e Agjencisë së Investimeve të Huaja. Do të bëhet një profilizim i ri i diplomacisë shqiptare drejt diplomacisë ekonomike.

Pra kjo përbën një nga temat më themelore të qeverisë sime. Shqiptarët po vijnë, dhe po investojnë, dhe do të vijnë dhe më shumë. //mm//

XS
SM
MD
LG