Lidhje

Gjermani: Merkel, në bisedime për formimin e qeverisë së re


Partia konservatore e Kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila fitoi në zgjedhjet e djeshme të përgjithshme premtoi se do të veprojë me shpejtësi në bisedimet për formimin e qeverisë së re. Zyrtarët e partisë së zonjës Merkel, Bashkimi Kristiandemokrat, thonë se formati i negociatave me partinë pro biznesit, Demokratët e Lirë, duhet të jetë gati të hënën dhe se bisedimet do të përfundojnë nga fundi i tetorit. Analistët parashikojnë bisedime të vështira, pasi Demokratët e Lirë, të inkurajuar nga votat që morën dje, mund t’i kërkojnë poste të rëndësishme Kristian Demokratëve.

Zonja Merkel zhvillon sot takime me udhëheqës të partisë së saj Kristian-Demokrate në përgatitje për bisedimet e ardhëshme të koalicionit me partinë pro biznesit, Demokratët e Lirë.

Udhëheqësi i kësaj partie, Guido Vestervele pritet të emërohet zëvendëskancelar dhe ministër i Jashtëm.

55-vjeçarja Merkel, ka thënë se do të zhvillojë bisedime të shpejta me zotin Vestervelle për formimin e koalicionit.

Partia Kristian-Demokrate e zonjës Merkel dhe simotra e saj në Bavari, Bashkimi Kristian Social, fituan 33.8 përqind të votave ndërsa Demokratët e Lirë 14.6 përqind, duke siguruar së bashku shumicën në Parlament. Social-demokratët, ish partnerët e mëparshëm të zonjës Merkel në koalicionin e madh të paqendrueshëmmorën 23 përqind.

Partia e Majtë mori 11.9 përqind të votës ndërsta të Gjelbërit 10.7.
Rezultatet i japin konservatorëve 239 vende ndërsa Dmokratëve të Lirë 93 vende në Dhomën e Ulët, për formimin e një shumice të qendrës së djathtë prej 232 vendesh nga 290 gjithsej.

Analisti politik, Nils Diederich, i Universitetit të Lirë të Berlinit, thotë se ky ishte një rezultat pozitiv:

“Votuesit vendosën qartë për të ecur në një drejtim, në drejtimin konservator-liberal. Është pozitive për higjenën politike të vendit fakti që kemi një shumicë të qartë dhe një opozitë.”


Qeverisa e qendrës së djathtë pritet të ulë taksat në përpjekje për të nxitur rritjen dhe krijuar vende pune.

Ekonomia e Gjermanisë, më e madhja në Europë, është goditur rëndë nga kriza ekonomike.

Megjithë rritjen e besimit të biznesit, rënia e prodhimit kombëtar bruto në masën 5 përqind për këtë vit pritet të krijojë pengesa për q everinë e re, sepse rritja e deficieve buxhetore si pasojë e shpenzimeve për stimulin ekonomik do t’ja bëjë asaj të vështirë të mbajë premtimet për shkurtime taksash.

Ndërkohë një ndër çështjet më të mprehta me të cilat përballet qeveria e re është pjesmarrja e saj me trupa në misionin e drejtuar nga NATO-ja në Afganistan.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Barak Obama i telefonoi zonjës Merkel për ta uruar dhe se të dy udhëheqësit ishin të një mendimi se bashkëpunimi mes Amerikës dhe Gjermanisë për të çuar përpara lirinë dhe begatinë do të thellohet. //ii

XS
SM
MD
LG