Lidhje

Obama, Rasmussen: Misioni në Afganistan është i përbashkët 


Sekretari i përgjithshëm i Natos thotë se është dakord me qasjen që presidenti amerikan Barak Obama i bën luftës në Afganistan. Dy udhëheqësit diskutuan dje mbi strategjinë në Afganistan.

Udhëheqësi i Natos Anders Fogh Rasmusen thotë se presidenti Obama ka të drejtë të vendosë mbi strategjinë the pastaj mbi forcimin e trupave në Afganistan.

“Rëndësi ka qasja e drejtë për zbatimin e strategjisë. Dhe të gjithë aleatët e Natos tani janë duke lexuar raportin e gjeneralit Mëkristal”.

Gjenerali Stanly Mëkristal, komandant e forcave amerikane dhe të Natos në Afganistan, ka vlerësuar gjendjen në terren dhe ia ka dërguar këto vlerësime presidentit Obama dhe udhëheqësve evropianë. Mes të tjerave, gjeneral Mëkristal po kërkon trupa shtesë në Afganistan.

Dje në zyrën ovale, presidenti Obama iu bashkua zotit Rasmusen duke thënë se operacioni i Natos në Afganistan është përpjekje e përbashkët.

“Kjo nuk është beteja e Amerikës. Ky është mision i Natos dhe ne po punojmë dhe këshillohemi me Naton në çdo hap të kësaj rruge”.


Presidenti Obama po shqyrton nëse të dërgojë trupa të tjera në Afganistan për të parandaluar Talebanët që të marrin përsëri kontrollin e vendit, ose të përdorë forca të posaçme dhe aroplanë zbulimi pa pilot për të goditur Al Kaidën në Pakistan. Si do që të veprohet, presidenti tha se objektivat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan nuk kanë ndryshuar.

“Është absolutisht e rëndësishme që ne po shkatërrojmë, pengojmë dhe ndërpresim rrjetin e al Kaidës. Dhe ne po punojmë efektivisht me qeverinë afgane për t’i dhënë vendit sigurinë e nevojëshme”.

Pas takimit me presidentin Obama, udhëheqësi i Natos, Rasmusen tha se është i bindur se suksesi në Afganistan do të arrihet.

“Kjo aleancë do të qëndrojë e bashkuar dhe ne do të qëndrojmë në Afganistan përsa kohë duhet për të përfunduar punën tonë”.

Takimi i presidentit Obama me sekretarin Rasmusen është një prej një serie takimesh mbi strategjinë në Afganistan që po zhvillohen këtë javë dhe do të zhvillohen gjatë javëve të ardhëshme. Një takim i rëndësishëm mes zyrtarëve kryesorë ushtarakë dhe të administratës që ishte planifikuar për dje, pritet të zhvillohet sot./a/


XS
SM
MD
LG