Lidhje

Roli i Hungarisë në rënien e komunizmit



Për qytetarët e Evropës Qendore dhe Lindore, revolucionet e vitit 1989 ndryshuan thellësisht jetën politike dhe ekonomike të vendeve. Kryengritja politike që filloi në Poloni dhe u përhap më pas në Hungari, e cila po shënon 20 vjetorin e vendimit për hapjen e kufijve për dhjetra mijëra refugjatë gjermano-lindorë, është ngjarje që shumë analistë thonë se i dha shkas rënien së Perdes së Hekurt dhe shëmbjes së Murit të Berlinit. Korrespondentja Judith Latham analizon rëndësinë e kësaj ngjarjeje nga këndvështrimi hungarez, gjerman dhe rus.

Gazetari hungarez, Andras Biro, i cili ishte në moshë të re kur mori pjesë në kryengritjen hungareze në vitin 1956, u detyrua të largohej nga vendlindja e tij.

30 vjet më vonë ai u kthye atje për të ndjekur një ngjarje të madhe politike. Në qershor të vitit 1989, thotë zoti Biro, ministrat e jashtëm të Hungarisë dhe Austrisë prenë telat me gjemba në kufirin mes dy vendeve dhe disa muaj më pas gjermano-lindorët fillun të kalonin kufirin.

Ai kujton se kryeminirsti i Hungarisë në atë periudhë, Miklos Nemeth, tha më vonë se ai akt çoi në zhdukjen e ndarjes së Evropës.“Jam plotësisht dakord me zotin Nemeth se ai akt ishte fillimi i rënies së Murit të Berlinit. Ai ishte një akt kurajoz i qeverisë së atëherëshme komuniste. Askush nuk mund ta parashikonte atëhere se çfarë do të ndodhte në Bashkimin Sovjetik, sepse politika relativisht liberale e Mikhail Gorbachev-it mund të ishte goditur në çdo moment nga ushtria”.

Më 10 shtator, Hungaria lejoi disa qindra mijëra refugjatë të kalonin kufirin, megjithë kundërshtimin e udhëheqësit gjerman Erich Honecker. Eksodi filloi në mesnatën e ditës së nesërme.

Gazetari Mathias Rueb, korrespondenti i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung në Uashington, është dakoed se Hungaria luajti një rol të rëndësishëm për ndryshimin e pamjes së Evropës Qendrore dhe Lindore, por ka mendim tjetër për rreziqet e momentit në atë kohë. “Mendoj se nuk ishte një vendim aq i rrezikshëm në atë kohë, sepse udhëheqja e Partisë Komuniste të Hungarisë ishte në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqjen e Moskës, me Gorbachevin. Por ishte një vendim i guximshëm i hungarezëve në verën dhe në vjeshtën e 89-ës për të hapur kufirin me Austrinë, por nuk ishte shumë i rrezikshëm, sepse ata a dinin se Gorbachev-i nuk do të ndërhynte”.

20 vjet më vonë, Gjermania është një vend i bashkuar dhe me prosperitet, një demokraci e avancuar. Por Andras Biro thotë se Hungaria ka mbetur prapa në përmbushjen e asaj që dukej se ishte premtimi i 1989-tës. “Nuk mund të kesh demokraci pa demokratë. Për fat të keq, vendi ynë nuk ka një traditë demokratike. Republika e Çekosllovakisë e kishte një traditë të tillë mes dy luftrave botërore , por nuk ishte kështu në Hungari. Përkundrazi, mekanizmat feudale të varësisë kishin mbizotëruar për një kohë të gjatë para vendosjes së regjimeve komuniste. Madje edhe jeta private kontrollohej nga kjo strukturë autoritare. Në 20 vitet e fundit, ne kemi patur në pushtetet koalicione socialiste liberale që kanë demonstruar se janë politikanë por jo burra shteti”.

Zoti Biro thotë se Hungaria është bërë viktimë e politikës së saj të brendëshme.Por gazetari gjerman Matthias Rueb thotë se megjithë problemet që ka, Hungaria është një demokraci e qendrueshme. “Hungarezët janë të prirur të mbështeten sëtepërmi tek shteti dhe të gjitha qeveritë që nga viti 1989 kanë qënë shumë populiste. Ato nuk e kanë reformuar sistemin e sigurimeve sociale apo shëndetësore. Pakica rome, për shembull, jeton në kushte të vështira, dhe asnjë qeveri nuk ka sjellë ndryshime cilësore. Dhe kjo është një e çarë e thellë në historinë e demokracisë së re hungareze që nga viti 1989”.

Eksperti i çështjeve të euroazisë, Paul Goble, thotë se Revolucioni i Hungarisë në 1989 shërbeu si shembull i shkëlqyer edhe për shtetasit sovjetikë. “Në Rusi ai u pa si tregues se qeveria sovjetike nuk ishte më e predispozuar të përdorte forcën ushtarake për të mbrojtur aleatët e saj socialistë, një tregues ky që shumë rusë e interpretuan se qeveria sovjetike nuk do të përdorte forcën kundër popullatës së saj nëse kjo e fundit do ta sfidonte. Pra ishte më tepër se sa zhdukja e ndarjes së Evropës”.

Zoti Goble thotë se shumë njerëz sot mund ta kenë harruar se sa të lidhura ishin të dy ngjarjet. Qeveria sovjetike kishte dy rrugë, ose të ndërmerrte një goditje si ajo e sheshit Tien An Men, që zotiGorbachev nuk ishte i predispozuar ta bënte, ose t’u hapte rrugën ndryshimeve që çuan në pavarësinë e vendeve balltike dhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. //rd//


XS
SM
MD
LG