Lidhje

Takim në Shtëpinë e Bardhë për strategjinë e luftës në Afganistan


Presidenti Barak Obama mblodhi këshilltarët e tij më të lartë ushtarakë dhe politikë në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për strategjinë mbi luftën në Afganistan. Komandanti më i lartë amerikan në Afganistan, gjenerali Stenli Mekristal, mori pjesë përmes një lidhjeje satelitore me video. Edhe kreu i Komandës Qendrore amerikane, gjenerali Dejvid Petreas mori pjesë në takim. Administrata po shqyrton gjithashtu kërkesën e gjeneralit Mekristal për më shumë trupa.

Presidenti Obama dhe 18 anëtarë të ekipit të tij të sigurisë kombëtare u takuan për rreth tre orë në Shtëpinë e Bardhë duke vlerësuar politikën e Afganistanit. Hollësitë e diskutimit nuk u bënë të ditura.

Sekretari i Shtypit i Presidentit, Robert Gibs thotë se ky është i dyti prej pesë takimesh të tilla që do të mbahen brenda disa javësh për të përcaktuar se si do të vazhdohet me strategjinë e Afganistanit.

“Na duhet të dalim me një strategji të plotë, ta diskutojmë dhe të sigurohemi që kemi bërë atë që duhet dhe më pas të zbatojmë taktika për të realizuar atë strategji dhe pjesë e këtyre taktikave është edhe gjetja e burimeve”.

Një nga zgjedhjet që duhet të bëjë Presidenti Obama është nëse duhet të dërgojë më shumë trupa në Afganistan për të mos lejuar Talebanët që të marrin kontrollin, apo për të përdorur forcat speciale dhe avionë zbulimi pa pilot për të vënë në shënjestër al-Kaidën në Pakistan.

Gjenerali Mekristal ka thënë se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin luftën nëse administrata nuk dërgon më shumë trupa.

Administrata e Presidentit Obama ka disa javë që studion strategjinë për Afganistanin në përpjekje për të gjetur një rrugë të re për të zgjidhur konfliktin pothuajse tetë vjeçar që e ka humbur mbështetjen e publikut amerikan. //kk//

Anëtarë të administratës njoftohet se janë të ndarë mes atyre që janë për pakësimin e angazhimit në vend dhe atyre që duan shtimin e trupave, sipas kërkesës së gjeneralit Mekristal.

XS
SM
MD
LG